Ka shkolla që nuk kanë ujë të mjaftueshëm, nuk u funksionojnë kazanët e tualeteve, nuk ka sapunë dhe letra higjienike, e të mos flasim për ujë të ngrohtë në këto ditë të ftohta të dimrit. “Gjithë këto mungesa mundësojnë përhapjen e sëmundjeve si verdhëza, dukuri që është paraqitur edhe në shkollat tona”, tha një mësuese për gazetën Koha
Delvina KËRLUKU
Shkup, 13 dhjetor – Kushtet jo të volitshme higjienike në institucionet shkollore të ciklit të ulët dhe të mesëm kanë shqetësuar jo vetëm prindërit që kanë fëmijët në këto shkolla, por edhe institucionet komunale, përgjegjëse të arsimit dhe punonjësit e shëndetësisë. Për shkak të papastërtisë në shkollë, shumë nxënës nuk përdorin tualetet, shkruan gazeta KOHA. Ata që më shumë brengosen janë prindërit, pasi kanë frikë se mungesa e higjienës mund të shkaktojë ndonjë sëmundje te fëmijët. “Higjiena në shkollat e vendit nuk është në nivelin e duhur, sidomos në shkollat fillore, ku nxënësit janë të rrezikuar nga përhapja e ndonjë infeksioni, në veçanti klasat që janë afër tualeteve. Mendoj se kjo çështje duhet të merret më seriozisht nga përgjegjësit e institucioneve arsimore. Unë jam vetë prind i një fëmije që vijon mësimet në një shkollë fillore në Shkup dhe konsideroj se fëmija im është i rrezikuar nga ndonjë infektim”, thotë Hajria, prind i një nxënësi.
Ka shkolla që nuk kanë ujë të mjaftueshëm, nuk u funksionojnë kazanet e tualeteve, nuk ka sapunë dhe letra higjienike, e të mos flasim për ujë të ngrohtë në këto ditë të ftohta të dimrit. “Gjithë këto mungesa mundësojnë përhapjen e sëmundjeve si verdhëza, dukuri që është paraqitur edhe në shkollat tona”, tha një mësuese për gazetën Koha. Nga shkolla “Penko”, në Shkup, thonë se higjiena është në nivel, meqë para tre muajve janë rikonstruar tualetet.
“Në nivel të shkollës kemi 12 tualete, ku edhe i kemi renovuar komplet, duke filluar prej kanalizimit, ujësjellësit, rrymës elektrike, ndërrimin e pllakave… Higjiena është në nivel, edhepse numri i nxënësve është shumë i lartë për dallim nga shkollat e tjera. Ne kemi 1650 nxënës, ku është një numër relativisht i madh. Për kujdesin që bëjnë nxënësit, megjithatë nuk jemi të kënaqur, do të duhet të punojnë prindërit pak më tepër në shtëpi, arsimtarët ti vetëdijësojnë nxënësit se çfarë është higjiena, sepse tualetet përdoren nga nxënësit”, tha Enis Memeti, drejtori i shkollës “Penko”.
Edhepse për momentin kjo shkollë është relativisht e kënaqur me higjienën, pas renovimeve, nuk ka staf të mjaftueshëm për të ruajtur higjienën e shkollës. “Për punësimin e katër punëtorëve higjienik, kemi kërkuar pëlqim që para fillimit shkollor nga Ministria e Arsimit, ndërsa momentalisht kemi 12 të punësuar. Me këto katër punëtorë që kemi para[arë ne, gjithsesi se do të përmirësohet pak gjendja. Kemi nevojë që në një ndërrim të ketë 10 punëtorë higjienik, por nëse marrim pëlqim prej ministrisë, edhe mund të realizohet kompletimi i stafit të nevojshëm që mungon”, tha Memeti. Mjedisi i shëndetshëm i shkollës është domosdoshmëri për garantimin e rritjes së fëmijëve, mundësi dhe performancën e të mësuarit dhe zhvillimit të tyre kulturor dhe social, prandaj shkolla duhet të garantojë kushte higjieno-sanitare për nxënësit edhe për stafin, gjë që shumë shkolla nuk e kanë. (koha.mk)