Në opinionin në Maqedoni janë krijuar dilema rreth asaj se rrjeti i lajmeve të rreme që plasohet në nivel global nga Maqedonia, e që së fundmi burim ka qytetin e Kumanovës, paraqet vetëm mundësi për të përfituar materialisht apo pas kësaj qëndrojnë struktura të caktuara politike.
Kjo vjen pasi Marten Shhnek, “gjahtar” ilajmeve të rreme nga Belgjika dhe ueb faqja holandeze “Nieuwscheckers.nl”, zbuluan një rrjet të qytetarëve nga Maqedonia, përkatësisht nga qyteti i Kumanovës, të cilët kanë shpërndarë lajme të rreme.
Sipas Shhnek, i punësuari në Armatën e Maqedonisë, Sllagjan “Cago” Bojkoski, së bashku me bashkëshorten e tij dhe një grup miqsh, për vite të tëra kanë shpërndarë lajme të rreme në internet, të cilat kanë të bëjnë me lajme të fabrikuara kundër myslimanëve, teori të ndryshme të konspiracionit, lajme të rreme rreth pedofilisë. Që të gjitha këto lajme të rreme, thuhet se kanë qenë në favor të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Si u bë Maqedonia qendër globale e keqinformimit pro Trumpit?
Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia do të jetë në mesin e shteteve kryesore që prodhojnë lajme të rreme, derisa të mbetet i parregulluar me ligj statusi i mediave online.
“Maqedonia është një nga shtet e cila nuk e ka të rregulluar statusin e mediave online. Kjo për shkak se nuk ekziston ligj i veçantë që do të rregullonte punën e mediave online, shpesh keqpërdoret dhe liria e mediave, keqpërdoret në kuptimin se mendohet se liria e shprehjes dhe e mediave është e pakufishme dhe nuk korrespondon aspak me përgjegjësinë, jo vetëm atë editoriale, por edhe atë profesionale, etike e kështu me radhë”.