Ka zëra që punëdhënësit edhe pse ua kanë lëshuar punëtorëve rrogat minimale në llogarit e tyre nga 14.500, të njëjtit ua kanë kërkuar më pas e nga 4.000 deri në 6.000 denarë
Zenel MIFTARI
Shkup, 30 korrik – Në kulmin e krizës shëndetësore me pandeminë e virusit korona, pronarët e disa kompanive kanë keqpërdorur ndihmën shtetërore, dedikuar rrogave minimale për punëtorët. Përkundër faktit që ata kanë marrë ndihmë nga shteti për t’i paguar rrogat minimale të punëtorëve për muajt prill dhe maj, të njëjtit nuk e kanë bërë një gjë të tillë ose ju kanë lëshuar rroga më të vogla se minimalja. Ky keqpërdorim është zbuluar nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), ku është publikuar abuzimi me ndihmën shtetërore nga punëdhënësit e disa kompanive,ndërkohë që dëmtuesit kryesor janë punëtorët. Kjo ndihmë iu dhurua kompanive për tejkalimin e krizës që e shkaktuan masat restriktive të marra nga Qeveria për ta parandaluar shpërndarjen e virusit korona.
Sipas të dhënave nga DAP-i, 3,746 kompani ulën pagën minimale për 52.465 punëtorë dhe për muajt prill-maj janë transferuar 1.5 milion euro më pak në llogaritë e punëtorëve. Kompanitë të cilat kanë bërë keqpërdorime kryesisht janë kompani mikro, të vogla dhe të mesme, nga Shkupi, Tetova, Struga, Gostivar dhe Kumanova. Shumica e tyre janë nga sektori për shitje me pakicë, përgatitja e ushqimit, shërbimi i ushqimit dhe transporti. Në mesin e kompanive që kanë keqpërdorur ndihmën shtetërore, ekziston edhe një medie. DAP ka bërë apel deri te kompanitë që kanë keqpërdorur këtë ndihmën shtetërore, që t’i transferojnë paratë te punëtorët, përndryshe përveç që do të gjobiten, do të detyrohen që punëtorëve të paguajnë rrogat me interes. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, emrat e kompanive do të bëhen publike.
Për këtë keqpërdorimin të ndihmës shtetërore nga punëdhënësit, ka reaguar edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Darko Dimovski, kryetar i LSM –së, në një paraqitje për media ka thënë se është absurde ku shteti i transferoj 14.500 denarë për çdo punëtor për rrogat minimale gjatë muajt prill-maj dhe mbi 700 punëdhënës nuk ja dhënë këto roga punëtorëve. Ai tha se Sindikatatdo të hapin një debat të gjerë dhe se do të procedohet kjo shkelje nga punëdhënësit.
“Ne besojmë se keqpërdoruesit duhet të japin përgjegjësi penale dhe të përfundojë pas hekurave. DAP-i ishte e saktë dhe iu përgjigj apeleve tona në mënyrën më të shpejt të mundur. Ata gjetën kompanitë që kanë keqpërdorur me ndihmën shtetërore dhe sipas ligjit, së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Punës, ata duhet të gjobiten. Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhet të ndokush të merr dhe përgjegjësi penale”, u shpreh Dimovski.
Sipas ekspertëve ekonomik, rruga do të ishte që shteti t’ua kërkoj kompanive të dhënat e punëtorëve dhe llogaritë bankare dhe pagimin e rrogave ta bëjë vetë shteti, sepse në të kundërtën më lehtë bëhen keqpërdorimet. Ndryshe, ka zëra që punëdhënësit edhe pse ua kanë lëshuar punëtorëve rrogat minimale në llogarit e tyre nga 14.500, të njëjtit ua kanë kërkuar më pas punëtorëve nga 4.000 deri në 6.000 denarë. Edhe përkundër insistimeve tona, asnjëra nga kompanitë nuk ka dashur të prononcohet për media. (koha.mk)