Të shtunën, guvernatorja Michelle Lujan Grisham njoftoi se do të dërgojë Policinë e Shtetit shtesë në Albuquerque për të patrulluar dhe punuar me APD dhe FBI. “Jam e zemëruar dhe e trishtuar nga kjo që po ndodh në Nju Meksiko, një vend që krenohet me diversitetin e kulturës dhe mendimit. Nuk jemi ne këta”, tha Lujan Grisham. “Ne nuk do të ndalemi në ndjekjen e vrasësve dhe vënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre dhe po analizojmë çdo burim për të kapur vrasësin ose vrasësit – dhe ne do t’i gjejmë ata”
Të premten pasdite, Naeem Hussain mori pjesë në shërbimin funeral për dy burra myslimanë që u vranë në dy javët e fundit. Ai u bashkua me vajtuesit e tjerë e më pas hëngri drekë në Qendrën Islamike të Nju Meksikos. Pastaj u largua. Disa orë më vonë, pak para mesnatës, Naeem Hussain u qëllua për vdekje në një parking të një organizate që ofron shërbime për refugjatët dhe azilkërkuesit pranë San Mateo dhe Copper NE. Vrasja e tij ishte e fundit në atë që policia dyshon se është një varg vrasjesh që synojnë burrat myslimanë – gjithmonë duke u bazuar në racën dhe fenë e tyre. “Tani, njerëzit kanë filluar të kenë panik”, tha Tahir Gauba, drejtori i marrëdhënieve publike me Qendrën Islamike të Nju Meksikos. Dy burrat që u varrosën të premten, 41-vjeçari Aftab Hussein dhe 27-vjeçari Muhammad Afzaal Hussain, u qëlluan pranë shtëpive të tyre më 26 korrik dhe 1 gusht. Policia thotë se atyre u ishte zënë pritë. Deri dje, katër vrasje janë kryer dhe katër burra muslimanë kanë vdekur.
Të shtunën, një zëdhënës i Departamentit të Policisë në Albuquerque tha se vrasjet e fundit kanë bërë që detektivët të përpiqen të përcaktojnë nëse të shtënat fatale të 7 nëntorit ndaj Mohammad Ahmadi, 62 vjeç, kanë lidhje me vrasjet e fundit. Ahmadi u vra pas një tregu hallall që e kishte ai me vëllain e tij. Një zyrtar i policisë ka thënë më parë se ekzistonte një “mundësi e madhe” që të tre vrasjet të lidhje dhe të jenë të organizuara kundër burrave muslimanë.
Gauba i Qendrës Islamike të Nju Meksikos tha se komuniteti mysliman – veçanërisht popullata e re – studentët që jetojnë pranë zonës ku ndodhën dy vrashet e fundit – ndjehen shumë të frikësuar. Ai informoi se i ndjeri Naeem Hussain ishte nga Afganistani. “Tani për tani, është vërtet e vështirë të përballesh me të”, tha Gauba. “Dua të them se veçanërisht menjëherë pas funeralit, në të njëjtën ditë, një vrasje tjetër ndodhi. Kështu që, është vërtet e çmendur”.
ÇDO BURIM I MUNDSHËM
Në një konferencë shtypi të thirrur pasditen e së shtunës nga policia e Nju Meksikos, drejtues nga forcat vendore të zbatimit të ligjit dhe qyteti denoncuan dhunën dhe siguruan komunitetin musliman se po punojnë së bashku dhe po i kushtojnë rëndësi çdo burimi të mundshëm hetimi. “Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit tonë ndërfetar të Albuquerque dhe të gjithë njerëzve të Albuquerque që të ndihmojnë forcat e rendit të identifikojnë dhe kapin personin ose personat përgjegjës që po vrasin muslimanët”, tha Michelle Melendez, drejtoresha e zyrës së policisë. “Ju lutemi, ju lutemi, telefononi me ndonjë informacion”.
Shefi i policisë Harold Medina, i cili iu drejtua gazetarëve përmes aplikacionit zoom, sepse ishte në izolim me COVID-19, tha se departamenti po punon ngushtë me FBI-në. Policia e Shtetit të Nju Meksikos, Zyra e Sherifit të Qarkut Bernalillo, Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve dhe Shërbimi i Marshallëve të SHBA, po ndihmojnë gjithashtu, tha Harold Medina. “Përveç hetimeve tona për këto vrasje, ne po i kushtojmë rëndësi patrullimit në zona dhe lagje kryesore brenda Albuquerque”, tha Medina. “Ne hoqëm kufijtë e punës jashtë orarit për oficerët tanë në mënyrë që të mund të përdorim disa nga njësitë tona të specializuara për të ndihmuar në sigurimin e pranisë së fortë të oficerëve të Albuquerque për të mbajtur komunitetin të sigurt”, u shpreh Harold Medina.
Zëvendës shefi, Josh Brown, tha se departamenti është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët dhe me komunitetin mysliman për të përcaktuar se çfarë kanë nevojë dhe ku janë më të cenueshëm. “Ne do të kemi policë të shumtë të stacionuar në zonat kryesore të qytetit”, tha Brown. “Kjo do t’i lejojë njerëzit që, nëse shohin diçka të dyshimtë dhe nëse nuk kanë akses të menjëhershëm në telefon ose komunikim, të ndalojnë, të japin këshilla, të flasin me oficerët e zbatimit të ligjit që janë atje dhe të disponueshëm në zonë”, u shpreh zëvendës shefi i policisë, Josh Brown. Të shtunën, guvernatorja Michelle Lujan Grisham njoftoi se do të dërgojë Policinë e Shtetit shtesë në Albuquerque për të patrulluar dhe punuar me APD dhe FBI. “Jam e zemëruar dhe e trishtuar nga kjo që po ndodh në Nju Meksiko, një vend që krenohet me diversitetin e kulturës dhe mendimit. Nuk jemi ne këta”, tha Lujan Grisham. “Ne nuk do të ndalemi në ndjekjen e vrasësve dhe vënien e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre dhe po analizojmë çdo burim për të kapur vrasësin ose vrasësit – dhe ne do t’i gjejmë ata”.
Policia e Shtetit ka rritur prioritetin për thirrjet që përfshijnë komunitetin mysliman, tha Medina, dhe ai u bëri thirrje muslimanëve që të jenë veçanërisht vigjilentë dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. “Lërini individët të dinë kur hyni dhe dilni, Jini vigjilentë, sepse të tjerë po shikojnë ku po e lini makinën tuaj në shtëpinë tuaj…”, tha Medina. “Unë mendoj se është e rëndësishme t’u bëjmë të ditur të gjithëve se ne të gjithë po kujdesemi për njëri-tjetrin.”
“NJË PERSON VËRTET I SJELLSHËM”
Nga mesdita e së shtunës, kryqëzimi i lagjeve Truman dhe Grand ishte i qetë. Shenja e vetme e dhunës gjatë natës që mbeti ishin xhamat e thyer të veturës së Naeem Hussain në parkingun e Lutheran Family Services. Një mike e Naeem Hussain tha për mediat se ajo e takoi atë rreth gjashtë vjet më parë përmes organizatës. Ajo tha se ai punonte me programin dhe kishte një takim atje të premten mbrëma. Ajo tha se i kishin thënë se Naeem Hussain, për të cilin policia thotë se ishte në mesin e të 20-ave, u bë shtetas amerikan vetëm dy javë më parë. “Ai ishte një person vërtet i sjellshëm dhe nuk kishte arsye që dikush ta vriste në këtë mënyrë”, tha ajo. “Është e papritur ajo që ndodhi. Kjo është vërtet zemërthyese për familjet”.
Gauba i Qendrës Islame të Nju Meksikos informoi se Naeem Hussain po fliste në telefon me të fejuarën e tij, e cila jeton në Virxhinia, kur u qëllua. “Mendoj se ajo dëgjoi të shtënat e armës dhe u tërbua”, tha Gauba. “Kur ai nuk u përgjigj pas kësaj, ajo thirri një nga miqtë e tij. Shoku i tij shkoi atje dhe e pa të vdekur Hassain-in dhe pas kësaj telefonoi 911”.
(Marrë nga abqjournal.com. Përktheu Redaksia e Gazetës KOHA)