Urim HASIPI
Tetovë, 22 janar – Qendra rekreative-sportive Kodra e Diellit, si asnjëherë më parë është në gjendje të mjerueshme, shkruan gazeta KOHA. Turistët nga jashtë, por edhe nga vendi vijnë për të qëndruar gjatë, por ikin për një ditë. Ski-liftet nuk punojnë, bora nëpër shtigjet nuk është rregulluar për skiatorët, ndërsa ata që pësojnë janë hotelierët dhe bizneset në këtë pikë turistike. ELEM-i që menaxhon me Kodrën e Diellit vite me radhë, është treguar e pa interesuar për këtë pikë turistike, ndërsa as edhe një denarë investim nuk është bërë. Situata nga viti në vit është duke u përkeqësuar, si në aspektin e infrastrukturës po ashtu edhe në aspektin e mirëmbajtjes së kësaj qendre. Krahas lënies pas dore të shtigjeve për skiatorët, shtypjes së borës, po ashtu disa nga skiliftet nuk punojnë. Drejtorët e caktuar nga ELEM heshtin, heshtin edhe nga Bordi drejtues për të dhënë ndonjë sqarim. Drejtuesit e kapaciteteve hotelerike ankohen për një sezon të dështuar dhe ikje të mysafirëve. Nga hoteli “Scardus” thonë se kjo situatë neglizhente është e padurueshme dhe ata paralajmërojnë protesta nëse nuk merren masa. “Kjo situatë tashmë po zgjat tre vite dhe ne, pasi që ishim organizuar që të mbajmë protesta, kemi realizuar takim me përfaqësues të ELEM-it. Në takim ata kanë folur për ndryshimet e Ligjit për siguri, por asgjë konkrete për të rregulluar problemet reale që ka kjo qendër. Është kërkuar më shumë siguri vetëm për këtë qendër turistike, por jo edhe për Mavrovën. Kështu, ne, duke parë këtë neglizhencë të treguar, për javën tjetër kemi caktuar një takim ku kemi ftuar edhe kryetaren e komunës, përfaqësues të ELEM-it dhe ne si sektor të biznesit për të diskutuar situatën dhe për të marrë masa urgjente që të kthehet në normalitet kjo qendër”, thotë për KOHA, Hashim Hasani, pronarë i hotelit “Skardus”. Ai më tej nënvizon se kërkesa e tyre bazë është që nëse ELEM vazhdon me këtë avaz, atëherë do të kërkohet që një pjesë e infrastrukturës të jepet me koncesion. “Ne kërkojmë që ski liftet të jepen me koncesion që të funksionojnë normalisht, të merren masa me kohë për rregullimin e shtigjeve, rruga të pastrohet në kohë, të aktivizohet ndihma e shpejtë, të rregullohet parkimi, ndriçimi publik dhe shumë punë të tjera që janë probleme evidente vite me radhë. Ne tashmë po paguajmë faturën e kësaj neglizhence të treguar nga institucionet që menaxhojnë me këtë qendër, sepse na ikin mysafirët dita ditës. Bëhet fjalë për mysafirë nga Kosova, Shqipëria, Sllovenia, Gjermania e kështu me radhë. Ata largohen për në Mavrovë, por ka edhe që shkojnë në Bullgari, dhe ne kemi mbetur në mëshirë të fatit”, thotë Hasani. Edhe në kapacitetin tjetër hotelerik “Nolis Konak” e konfirmojnë këtë gjendje. ”Kemi pasur rezervime më shumë nga Shqipëria dhe Kosova, por ata kanë qëndruar një natë dhe janë larguar. Për ne si hotelier është shumë keq, sepse punojmë me rezervime dhe në ndërkohë nuk mund të pranojmë rezervime tjera, prandaj dhomat na ngelin bosh”, thonë në këtë kapacitet hotelerik. Nga ana tjetër, turistët vendor nuk mbajnë mend një gjendje të këtillë në Kodrën e Diellit. “Çdo vit vijmë në Kodrën e Diellit, por asnjëherë kështu nuk ka qenë. Ski-liftet nuk punojnë, shtigjet nuk janë të rregulluara, ka shumë gurë që nuk janë larguar dhe pengojnë gjatë skijimit dhe jemi të rrezikuar në çdo moment, për shkak të këtyre gurëve të mëdhenj që nuk janë pastruar me kohë. Është mizori që e kanë lënë kështu këtë qendër”, thotë Bashkimi, një turist nga Tetova. Krahas kësaj, po ashtu humbje shënojnë edhe shumë tregtarë që japin saja dhe ski me qira. Humbje shënojnë edhe ata pak pronarë që kanë shitore dhe paguajnë qira me çmim të lartë, kurse punë nuk ka. Në ndërkohë, sipas informacioneve zyrtare, problemet janë shkaktuar për shkak të mungesës së borës. “Sot janë lëshuar tre ski-lifte. Të tjerat do të lëshohen ditëve në vijim ka borë. Problemi kryesor ka qenë mungesa e borës dhe atëherë kur ka rënë borë e ka bartur era, edhe pse ka pasur tentime që e njëjta të shtypet, por ka qenë e kot” thonë punë- torët teknik nga kjo qendër turistike. Po ashtu në opinion përflitet se e tërë kjo situatë është shkaktuar me qëllim që mysafirët të ikin nga Kodra e Diellit dhe të shkojnë në Mavrovë. Vite me radhë kjo qendër ka shkëlqyer pasi ka pasur mysafirë nga shumë vende të Ballkanit dhe të Evropës. Tash nga ai shkëlqim nuk ka mbetur asgjë, pasi që kjo qendër shkon drejt shkatërrimit. Bizneset në këtë qendër që e kanë të vetmen shpresë për të mbijetuar sezonin dimëror, rrezikohen të mbyllen. Tash për tash kanë mbetur vetëm premtimet dhe shpresa se diçka do të përmirësohet…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.