Një ligj i edukimit mediatik dhe digjital do të parandalonte efektet shkatërruese të lajmeve të rreme. Por edhe kjo nuk do të mjaftonte. Janë vetë mediat ato që selektojnë lajmet mbi vërtetësinë e tyre dhe do të ishte e pamundur të arrihen efekte të dëshirueshme nëse kultura mediatike nuk e refuzon gënjeshtrën nga struktura e informacionit ditor
Nga Emin AZEMI
Studentët e Universitetit shtetëror të Shkupi, dje kanë organizuar një tubim publik me moton “Mos u bëj cak i mediave”. Në këtë tubim u dërguan porosi kundër propagandës, kundër shoqërisë agresive të konsumit, kundër terrorit reaklamues, tëhuajësimit dhe përgjithësisht kundër kaosit mediatik në Maqedoni..
Por, porosia kryesore që doli nga ky tubim kishte për qëllim të sensibilizojë institucionet relevante që në mënyrë të përshpejtuar të punojnë në përfshirjen e edukimit mediatik dhe digjital në sistemin arsimor.
Të dallosh një lajm të rremë sot, kërkon kualifikim profesional, kurse të gjithë ata që bien viktimë e këtyre lajmeve nuk e posedojnë këtë kualifikim. Nuk është vetëm problem lokal ky, pasi që sot në botë investohet shumë në përgatitjen e strategjive kombëtare për të shmangur lajmet e rreme.
Përhapja e lajmeve të rreme, tash më një kohë u bë një prej synimeve kryesore të politikës së jashtme ruse, kurse ata që u gjendën nën kërcënimin e kësaj propagande, ku bën pjesë edhe rajoni ynë, u treguan të papërgatitur. Kjo sidomos gjeti terren në një ambient poroz mediatik, ku portalet e Beogradit, kryesisht, shërbyen si “jataqe” të luftërave hibride që iniconte Moska zyrtare.
Por, kjo makineri propagandistike, nuk do të tregohej gjithaq e efektshme në terren, sikur të mos bashkangjiteshin edhe disa portale nga Maqedonia dhe pjesët tjera të rajonit, të cilat informacionin e rremë e shtrinë sikur të ishte prodhim vendor. Në fakt lajmet vetëm u përkthyen dhe u distribuuan pa asnjë redaktim. Në këtë mënyrë “Sputniku” rus u shndërru në motorin më lëvizës nëpër hapësirat mediatike të Ballkanit, kurse publiku, secili nga këndvështrimi i tij, arriti të bëhet peng i kësaj ngrehine mjegullnajash mediatike.
Një ligj i edukimit mediatik dhe digjital do të parandalonte efektet shkatërruese të lajmeve të rreme. Por edhe kjo nuk do të mjaftonte. Janë vetë mediat ato që selektojnë lajmet mbi vërtetësinë e tyre dhe do të ishte e pamundur të arrihen efekte të dëshirueshme nëse kultura mediatike nuk e refuzon gënjeshtrën nga struktura e informacionit ditor.
Nëse në të kaluarën njerëzit binin viktimë e sëmundjeve të pashërueshme dhe sulmeve të ndryshme terroriste, sot lajmet e rrejshme janë bërë armë që po vrasin qetësinë e publikut. Kjo, mbase, do të mjaftonte që të krijohen mekanizma adekuatë për parandalimin e këtyre armëve. (koha.mk)