Zejnulla VESELI
Shkup, 18 nëntor – Nga sot (e shtunë), me iniciativë të Konfederatës së organizatave qytetare në Maqedoni dhe Shoqatat “No Pasaran” e “Zëri i tekstilit”, fillojnë me fushatën e mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve kundër veprimeve të përmbaruesve ndaj qytetarëve, të cilët gjatë kohë me dhunë po paguajnë borxhet e mbetura ndaj kreditorëve, por assesi t’i paguajnë këto borxhet, shkruan gazeta KOHA. Konfederata e organizatave qytetare kërkon që përmbaruesit të punojnë në gjyqe dhe urgjentisht institucioni përkatës të propozojë ndryshimin e Ligjit për përmbarim dhe të “ngrinë” të gjitha urdhëresat aktive që janë lëndë përmbarimi ndaj personave fizik. Mënyra se si kanë funksionuar deri më sot përmbaruesit, sipas organizatave qytetare, nuk është në pajtim me Ligjin për përmbarim, prandaj është më se nevojshme një revizion i punës së deritanishme të të gjithë përmbaruesve si dhe të gjitha proceseve gjyqësore gjatë zbatimit të procedurave përmbaruese. “Mbi 200.000 qytetarë janë pengë i vendimeve të përmbaruese dhe një pjesë e këtyre qytetarëve ende i kanë të bllokuara llogaritë bankarë me urdhër të përmbaruesve. Një numër i konsiderueshëm i këtyre qytetarëve, nuk kanë asfare të hyrash në llogaritë bankare. Kemi raste të shumta ku përmbaruesit kanë bllokuar edhe qytetarë, të cilët si të hyra të vetme kanë ndihmat sociale apo pranojnë kompensime nga Agjencia për punësim dhe vlerësojnë se ky veprim është kundër ligjor. Ligji për përmbarim është shumë i qartë, përmbaruesi ka të drejtë t’i merr borxhliut vetëm një të tretën e të hyrave në llogarinë bankare, ndërsa përmbaruesit ju kanë marrë rrogën e plotë, pensionin apo ndihmën sociale tre, katër apo pesë muaj radhazi. Me këtë qytetarët jo vetëm që nuk kanë para për të paguar borxhin, por kanë pasur dhe vështirësi të mëdha sa i përket sigurimit të gjërave ushqimore brenda një muaji”, thotë Ana Gligorova nga iniciativa qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve “Stop për përmbaruesit”. Sipas Gligorovës, përmes iniciativës për grumbullimin e nënshkrimeve të qytetarëve, kërkohet të dihet saktë sa është vlera reale e borxhit prej 2000 denarëve, i cili sipas përmbaruesve rritet dhe bëhet borxhi jo i realtë në vlerë prej 20.000 denarë.
“Këto 18.000 denarë të llogaritura si borxh shtesë nga përmbaruesit shkojnë në “erë”, gjegjësisht me këtë jo vetëm që qytetari ka paguar borxhin bazë, por qytetarët e Maqedonisë nuk kanë më asnjë borxh. Prandaj, zgjidhja më e mirë do të ishte që përmbaruesit të kthehen atje ku dhe ishin para vitit 2006, si nëpunës shtetërorë në gjykata. Kërkojmë që deputetët të jenë në anën e qytetarëve. Ata janë bërë deputetë me votat e qytetarëve dhe e kanë për obligim t’i mbrojnë qytetarët që t’i shpëtojnë nga ky problem serioz që kanë”, tha Ana Gligorova, nga iniciativa qytetare “Stop për përmbaruesit”.
Kryetari i Konfederatës së organizatave sindikale në Maqedoni, Marjan Petreski, thotë se të shtunën (sot) para “Porta Maqedonia” në Shkup, nga ora 12 do të fillojmë me grumbullimin e nënshkrimeve dhe nënshkrimet do të grumbullohen edhe në qytete tjera të Maqedonisë. “Shpresojmë se Qeveria e re do të mbajë premtimet e saja të dhëna para se të vjen në pushtet, se këto padrejtësi që u bëhen qytetarëve nga ana e përmbarueseve dhe noterëve, do të përmirësohen”, tha Petreski. Nga Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë thonë se sa i përket kërkesës për uljen e tarifës së përmbaruesve nga ana e organizatave qytetare, përmbaruesit në Maqedoni kanë tarifa më të ulëta nga vendet e rajonit. “Tarifa e përmbarimit është e krijuar në bazë të numrit të përmbaruesve dhe të punësuarve në të gjitha zyrat e përmbaruesve. Taksa administrative më e ulët e një përmbaruesi është 4.5 euro, ndërsa më e larta është 150 euro. Në anën tjetër, taksa më e ulët e një avokati është 1300 denarë, ndërsa më e larta është 48.000 denarë. Pra, nuk janë taksat e përmbaruesve që e rrisin vlerën e borxhit bazë, por janë taksat e avokatëve dhe notareve që janë për disa herë më të larta se taksat administrative të përmbaruesve”, thotë Zoran Dimov, kryetar i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës që përmbaruesit të kthehen në gjyqe, kryetari Dimov thotë se derisa përmbaruesit punonin në kuadër të gjykatave, përmbarimi ishte vetëm 2 për qind. “Pas shumë reforma të pasuksesshme në fushën e përmbarimit, në vitin 2005 u miratua Ligji i ri për përmbarim, i cili gjatë këtyre 9 viteve tregoi rezultate të mira në fushën e përmbarimit dhe përmbarimi i lëndëve është rritur për 48 për qind nga 2 për qind sa ishte në vitin 2005. Gjithashtu, qytetarët duhet të dinë se në tarifën e përmbaruesve nuk janë të llogaritura vetëm harxhimet që i bën një përmbarues, por këtu përfshihen edhe harxhimet e avokatit të angazhuar nga ana e kreditorit, të cilat për një seancë gjyqësore kanë koston deri më 16.000 denarë si dhe shpenzimet e noterit. Pra, nuk janë harxhimet e përmbaruesve që e rrisin vlerën e borxhit bazë, por janë harxhimet e avokatëve dhe noterëve që e çojnë borxhin bazë të rritet për 10 herë,” thotë Dimov.
Njehërit kryetari i Odës së Përmbaruesve, Dimov, informon që në të ardhmen të mos ketë keqpërdorime nga ana e përmbaruesve, sa i përket bllokimit të llogarive bankare të personave fizik dhe t’ju merret e gjitha rroga në vend së një të treta, siç parasheh ligji, kemi kërkuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të përgatis regjistër me numrin e saktë të personave fizik që janë bartës të ndihmave sociale. “Me përpilimin e këtij regjistri, do të dihet saktë se sa është numri i qytetarëve që janë pranues të ndihmave sociale dhe para se një përmbarues të merr veprim për bllokim të llogarisë bankare, do të duhet të bëjë kontroll nëse personi fizik është bartës i ndihmës sociale dhe nëse ky person është rast social, asnjë përmbarues nuk do të ketë të drejtë t’i bllokojë llogarinë bankare deri në momentin kur ky person do të ndryshojë statusin e bartësit të ndihmës sociale. Në anën tjerë, nëse një person si të hyra në llogarinë bankare ka vetëm pagën mujore, me Ligjin e ri për përmbarim, ata janë të mbrojtur dhe përmbaruesi do të mund të tërheq vetëm një të tretën e rrogës e jo të gjithë rrogën siç ka ndodhur deri më sot”, thotë Zoran Dimov, kryetar i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë. (koha.mk)