Të dhënat e Fondit Ndërkombëtar Monetar tregojnë se banorët e Maqedonisë së Veriut janë ndër më kursimtarët në Ballkanin Perëndimor. Sipas shifrave zyrtare të FMN-së, kursimet në bankat e Maqedonisë përbëjnë 58.1 për qind të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto, me çka qëndrojmë më dobët vetëm se Shqipëria, e cila renditet në vendin e parë në rajon me depozitat prej 68.8 për qind të PBB-së
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 nëntor – Shtetet e rajonit në dhjetë vitet e kaluara tregojnë rritje të vazhdueshme të kursimit të qytetarëve të tyre. Në bankat vendore të Maqedonisë, deri në fund të muajit shtator në total po kursehen 418.644 milionë denarë apo afër 6.8 miliardë euro, ndërsa dominojnë kursimet e qytetarëve në denarë me 52.3 për qind. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se amvisëritë po kursejnë 278.469 milionë denarë, prej të cilave 145.806 milionë në denarë dhe 132.663 milionë denarë kryesisht në euro. Totali i depozitave të biznesit është 112.505 milionë denarë, prej të cilave 79.641 milionë në denarë dhe 32.865 milionë në valutë të huaj. Nga Banka Popullore thonë se trendet e rritjes së kursimeve po vërehen edhe në vendin tonë.
“Ky potencial nënkupton një akumulim shtesë të financimit dhe orientimin e tij ndaj investimeve produktive dhe projekteve që mund të jenë përkrahje e rëndësishme ndaj përshtatjeve strukturore të biznesit apo sektorit real të këtij normaliteti të ri”, theksoi kohë më parë numri një i Bankës Qendrore, Anita Angellovska-Bezhovska. Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se edhe në kushte të këtilla të jashtëzakonshme, po rriten depozitat e qytetarëve dhe kompanive. Deri në fund të muajit shator, depozitat apo kursimet totale të qytetarëve tregojnë rritje vjetore prej 6.1 për qind, përderisa totali i depozitave të kompanive po tregon rritje vjetore prej 8 për qind. Sinjalet pozitive të kursimeve po ndiqen edhe nga rritja e huamarrjes apo kreditimit me rritje prej 7.3 për qind në nivel vjetor.
Njëherësh, rritja e kreditimit të popullatës shënon rritje prej 9.5 për qind, përderisa rritja e kreditimit të biznesit tregon rritje prej 5.2 për qind. Të dhënat udhëzojnë se edhe në kushtet e sfidave të ndryshme, besimi i qytetarëve në sistemin financiar vendor mbetet i lartë si rrjedhojë e stabilitetit të vendosur makroekonomik dhe financiar, stabilitetit të kursit devizor, rregullativës mirë të dizajnuar dhe sjelljes prudente apo të kujdesshme të bankave. Nga ana tjetër, të dhënat e Fondit Ndërkombëtar Monetar tregojnë se banorët e Maqedonisë së Veriut janë ndër më kursimtarët në Ballkanin Perëndimor. Sipas shifrave zyrtare të FMN-së, kursimet në bankat e Maqedonisë përbëjnë 58.1 për qind të vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto, me çka qëndrojmë më dobët vetëm se Shqipëria, e cila renditet në vendin e parë në rajon me depozitat prej 68.8 për qind të PBB-së.
Depozita të larta kanë edhe qytetarët e Bosnje Hercegovinës me 53.7 për qind, ata të Kosovës me 50 për qind, në Mal të Zi me 42.8 për qind dhe në Serbi – 46.8 për qind .Vlerësohet se në kushte kur nuk janë zhvilluar mënyrat e tjera të investimeve, punës së dobët të investimeve në letrat me vlerë, punës së dobët të bursave në rajon e kështu me radhë, megjithatë banorët e rajonit i mbeten besnik kursimit në banka. (koha.mk)