Vlerësimi i historianëve se Marks ka diktuar politikën moderne duke krijuar dikotominë mes socialistëve dhe kundërshtarëve të tyre, duhet rivlerësuar. Është evidente se përtej epiteteve të tjera ideologjike që mund të marrin politikanët “marksistë, liberalë, progresistë, nacionalistë”, pika e tyre e përbashkët është se janë frojdianë, sepse zgjedhin të shfrytëzojnë të gjitha instinktet e ID-it dhe patologjitë e “turmës” për të sunduar mbi superegon tonë kolektive
Çdokush që është sadopak i interesuar për politikën, padyshim që më së paku ka dëgjuar për Marksin, idetë marksiste dhe të gjitha principet që kjo doktrinë promovon, si barazia, e drejta e gjithkujt për të jetuar pavarësisht aftësive dhe refuzim i kapitalizmit. Por, ajo që bie në sy është se përveç elozheve verbale për Marksin dhe doktrinën e tij, shumë të pakët kanë qenë ata politikanë (në perëndim) që realisht kanë tentuar të implementojnë idetë e tij, ndërkohë që sot, edhe partitë politike që renditen si të majta, refuzojnë idetë më radikale të Marksizmit dhe parapëlqejnë benefitet materiale dhe ideologjike që ka mundësuar tregu i lirë.
Nga ana tjetër, idetë e një tjetër figure të rëndësishme historike, por më pak të diskutuar në politikë, duket se kanë një peshë specifike të lartë në sjelljet dhe retorikën e politikanëve. Bëhet fjalë për psikiatrin Sigmund Frojd. Frojd, ishte ai që popullarizoi termin “psikologjia e turmës”, që ndonëse nuk u krijua prej tij, pa dyshim u investigua në “shërbim” të politikës moderne, në shkrimet e tij. Frojd ishte ai që foli për vlerën e të gënjyerit për të ruajtur civilizimin, në kushtet kur e vërteta është se të gjithë kemi instikte shtazore dhe vetëm supresioni i tyre na lejon të kemi prosperitet dhe vullnetarizëm. Vetë presidenti Trump në fillim të pandemisë së COVID, i tha në privatësi gazetarit Bob Woodward se nuk donte të tregonte të vërtetën e virusit sepse “nuk duhet të mbillet panik, derisa të dimë ta përballojmë”. Një ide marksiste, apo edhe kantiane (liberale) do të impononte të thuhej e vertëta pa marrë në konsideratë pasojat. Padyshim, konstitucionalizmi, republikanizmi dhe demokracia (si ide) imponojnë pikërisht vlerat kantiane të praktikës të së vërtetës për hir të saj, por dukshëm duket se politika ka përvetësuar idetë frojdiane për vlerën e të gënjyerit.. për të mirën tonë.
Gjithashtu, Frojd elaboroi idenë se një pjesë e madhe e njerëzve janë “infantilë” në sensin që të trembur nga e panjohura dhe dyshues në aftësitë e tyre, duan të sigurohen nga figurat e autoritetit se gjithçka shkon mirë, është nën kontroll dhe nuk mund t’u ndodhë asgjë e keqe. Kjo “patologji” e ka origjinën në mungesën e një zhvillim të duhur në fëmijëri, por kjo ka pak rëndësi. Ky segment i publikut voton dhe për pasojë i duhet shërbyer. Ndaj, në epokën e pandemisë pritet me padurim mendimi i ekspertëve, që fillimisht e këshillojnë maskën, më pas jo dhe në fund shprehen se është esenciale për shëndetin tonë. OBSH dhe politikanët dukshëm gabuan vitin e kaluar në Janar, kur e siguruan publikun se virusi nuk është i transmetueshëm, por roli “paternal” i tyre na bën që ende të besohen dhe të degjohen me fanatizëm. Pra, klasa politike ka marrë rolin e atit për adultët dhe kur ata na dënojnë të rrimë brenda në shtëpi, atje do të qëndrojmë, sepse dihet që prindërit e dinë çfarë është e mira për ne dhe ne duhet të dëgjojmë.. derisa të rritemi… ose të kalojë pandemia.
Pra, fraza “etërit e kombit” ka një sens literal në politikën bashkëkohore. Aldos Huxley e pranoi se shumë nga idetë për romanin e tij distopik “A Brave New World” lindën nga shkrimet e Frojd, që evidentonin se kënaqësitë e përkohshme dhe zbavitja kalimtare kanë potencial kolosal për të “mpirë” shqisën e mendimit kritik dhe reflektimit mbi gjendjen e njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi. A ka show më tërheqës dhe zbavitës se showbizz-i politik? A mbushin faqet e gazetave çështje të politikave, nismave ligjore dhe argumentet filozofikë apo sulmet personale dhe politika pa substancë? Edhe në këtë aspekt dukshëm Frojd i tregon politikanëve sesi duhet bërë politikë për të pushtuar vemendjen dhe popullaritetin. Mjafton të shfrytëzohen instiktet njerëzore që janë të pashmangshme.
Në përfundim duket se vlerësimi i historianëve se Marks ka diktuar politikën moderne duke krijuar dikotominë mes socialistëve dhe kundërshtarëve të tyre, duhet rivlerësuar. Është evidente se përtej epiteteve të tjera ideologjike që mund të marrin politikanët “marksistë, liberalë, progresistë, nacionalistë”, pika e tyre e përbashkët është se janë frojdianë, sepse zgjedhin të shfrytëzojnë të gjitha instinktet e ID-it dhe patologjitë e “turmës” për të sunduar mbi superegon tonë kolektive.