Tifozët e futbollit në Kosovë, do të kenë mundësinë të shohin nga afër një nga skuadrat më të mëdha të Evropës, që më 10 gusht zhvillon miqësore me KF Feronikelin në ‘Fadil Vokrri’. Lajmi për ardhjen e Milanit është konfirmuar nga skuadra e Feronikelit, përmes një postimi në Facebook, përcjellë gazeta KOHA.
Kosova që para tre vite është bërë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, nuk ka pasur mundësinë që të presë skuadra të kalibrit të Milanit në të kaluarën. Në fakt, të pakta janë skuadrat e njohura të Evropës që kanë zhvilluar ndeshje futbolli në vendin tonë.
Skuadra e parë që ka ardhur për miqësore në Kosovë, është ajo turke, Gençlerbirliği, që u përballë me Prishtinën, shkruan lajmi.net, përcjellë gazeta KOHA.
Prishtina ishte nikoqire edhe e një skuadre tjetër turke, kur në vitin 2014 u takua me Tranzaspor, që për trajner kishte legjendën braziliane, Roberto Carlos.
Pranimi i Kosovës në instancat ndërkombëtare të futbollit, bënë që në vendin tonë të vijnë skuadra të Evropës. Në këto vite, më e njohura mbetet Malmo e Suedisë, që u takua me Dritën në Ligën e Kampionëve. Por tani me ardhjen e Milanit në muajin gusht, sigurisht që gjiganti italian do të bëhet skuadra më e madhe evropiane që ka shkelur në Kosovë.