Adhuruesit e kantautorit novosadas, nga gjithë ish-Jugosllavia kanë shumë arsye për ta qarë, por me gjithë bekgraundin pacifist të tij, mbetet një njollë nga opusi krijues, sepse një nga këngët me melodi më të bukur, ka mesazhin më të mbrapshtë(kërcënim), ndërtuar mbi propagandën antishqiptare të regjimit të Millosheviqit, për gjoja shpërnguljen me dhunë të serbëve nga Kosova!
Nga Daut DAUTI
Javën e kaluar viktimë e Covid 19-shit ishte një emër i njohur i muzikës nga ish-Jugosllavia, kantautori Gjorgje Ballasheviq (67). Këngëtar me një opus të jashtëzakonshëm baladash, me tekste përmbajtësore që aktorja Mira Banjac e kishte quajtur jo veç këngëtar e kompozitor, por nga poetët më të shquar serbë.
MESAZHET ANTI LUFTË…
Dino Merlin, këngëtari boshnjak, me lot në sy këndoi një këngë të Ballasheviqit pas vdekjes së tij. Populli i Dinos kishte qenë buzë greminës pikërisht nga bashkëkombasit e Gjorgje Ballasheviqit. Lotët e Dino Merlinit boshnjak shprehin dhembjen e sinqertë ndaj kolegut të tij, për shkak të respektit ndaj këngës së tij, por më tepër për shkak se ishte një zë kundër regjimit të Millosheviqit, që i nxiti luftërat.Nga Pula e Kroacisë, u bë një kordon adhuruesish nga stacioni i trenit, duke lëshuar muzikën e Ballasheviqit, për të përkujtuar vargjet e njërit prej hiteve të tij që fillonte pikërisht me “Në stacionin e Pulës…”. Kroatët që ishin në konflikt me serbët e Kroacisë dhe serbët e Millosheviqit, pra, bashkëkombas të Gjoles, e përcollën në varr në mënyrë simbolike sikur të ishte i tyre…Vërtet, Gjorgje Ballasheviqi nuk mund të ishte reprezent i të zezave që dikush ua kishte bërë popujve të tjerë në emër të popullit të vet. Një artist, ose intelektual, ka integritetin e tij individual, ai nuk është pjesë e turmës, pjesë e regjimit.
“Si një artist, si humanist i vërtetë, në kohën e luftërave dhe fatkeqësive më të tmerrshme (…) Gjorgje kundërshtoi politikat ekspansioniste, të çmendura dhe johumane, kundër nacionalizmave të të gjitha llojeve dhe ai ishte njeri ynë, përfaqësuesi ynë, heroi ynë”, kështu e portretoi aktori Rade Sherbexhia, nga Kroacia…
Edhe pse serbët me ardhjen e Milloseviqit kishin marrë krahë, jo të gjithë ishin rreshtuar me të. Ballasheviqi megjithatë, kishte ecur paksa në mënyrë zik-zake, duket se në ndonjë periudhë të jetës së tij kishte qenë më afër filozofisë së turmës, por thonë se edhe ka pasur probleme në Novi Sad nga luftënxitësit. Pa kaluar as tri vjet nga fundi i luftës në Bosnje, Ballasheviqi mban një koncert në Sarajevën e lodhur nga lufta, ku pritet si hero i paqes dhe pajtimit. Gjithsesi, ai do t’u kthehet koncerteve në gjithë shtetet e dala nga Jugosllavia e pas luftërave të fundit, përveç se në Kosovë.
Shumë këngë të tij kishin pikërisht mesazhe kundër marrëzisë së luftës, por duhet shtuar se në pajtimin nënkupton edhe falja e ndonjë mëkati që mund dikush të ketë bërë me vetëdije ose pa vetëdije.
Me lajmin për vdekjen e Ballasheviqit m’u kujtua një episod nga rinia. Në vitin 1984 kishim shitur shtëpinë e vogël në një mëhallë afër “Seravës” dhe kishim blerë një shtëpi më të madhe në “Xhon Kenedi”, me një dallim të madh në çmim. Për këtë arsye, me vëllezërit ishim shpërndarë nëpër Beograda e gjetiu për të nxjerrë ndonjë dinarë për të paguar shtëpinë, duke punuar te “preduzimaçët”e asaj kohe. Mua më ra hise të shkoj nga Beogradi e Mlladenovci. Pikërisht në Mlladenovc një ditë vjeshte pashë që po mbante koncert Ballasheviqi. Thashë hajt ta provoj fatin mos po më lëshojnë me një legjitimacion gazetari që ma kishte dhënë “Flaka e vëllazërimit” si bashkëpunëtor(ende isha student). Për çudi më lëshuan….Ky episod m’u kujtua sepse ka qenë i vetmi koncert i ndonjë këngëtari jugosllav që kam marrë pjesë, në të cilin përveç këngëve, më ranë në sy shkathtësitë e tij të komunikimit me publikun, me një dozë të theksuar humori. Kjo zaten ka qenë një nga arsyet pse ka qenë aq i popullarizuar. Ballasheviqi është shquar për baladat emotive me motive dashurie, por edhe për shkak të teksteve “të angazhuara” të shumë këngëve të tij…Në atë ish-Jugosllavi, ndër hitet e para të tij ka qenë edhe kënga kushtuar Titos, “Na keni ne në mendje…”(“Raçunajte na nas”)një tekst “i angazhuar”, por do të gabonim nëse gjykojmë nga kënvdështrimi i tashëm. Nuk ishte i vetmi artist që i ka shprehur adhurim Titos. Nëse e ka bërë nga bindja, kjo do t’i falet. Por, a do të mund t’i falet mëkati ndaj shqiptarëve?
NJË KËNGË ANTISHQIPTARE, NJË MËKAT I PA LARË!
Përmenda mesazhet antimiltariste të shumë këngëve të tij…por, gjuha të shkon ku të dhemb dhëmbi, dhe si për çudi, në opusin krijues kantautori novosadas ka një këngë që ka lindur nga koha kur Sllobodan Millosheviqi ishte në ekspanzion viteve 80-të. Atëherë zhvillohej një propagandë e fortë se gjoja se serbët e Kosovës shpërngulen nga presioni që u bëjnë shqiptarët. Si duket, kësaj propagande i kishte besuar edhe Gjorgje Ballasheviqi, i cili në vitin 1986 madje e thuri këngën “e angazhuar” – mesazh për shqiptarët e Kosovës: “Mos m’i theni bagremat (akaciet)!”, ku e përmban atë mesazhin që s’i shkon një balade: “m’i leni rehat (bagremët)…se të gjithëve do t’ju shkallmoj!”. Në çdo koncert e ka kënduar dhe e ka shpjeguar. Një baladë sipas tij “spontane” dhe me motive dashurie, që nuk paska pasur ndonjë qëllim të keq, pos të flasë “për të keqen që po ndodh atje poshtë” (në Kosovës). Ai këndon kështu: “Le t’ma ketë shkelur arën/le të jenë ëmbëlsuar me kumbullat(e mia)/hajna ka pasur gjithnjë…/se “quk”-u është quk, e ujku është ujk/kurrë s’kanë qenë të paktë dëmtorët/thatësia ma prishi bostanin/akulli u shkri para vjeljes/po akulli është akull, e rendi, rend/…rendi është rend…por gjithçka u teprua/kisha një zabel bagremësh(akaciesh) përskaj rrugës!/rendi është rend, më ngadalë komshinj/nuk mund të hyni e të shkatërroni të huajën/u thashë me të mirë/ mos m’i theni bagremët!/sepse pa ta do t’më marrë era(….) /vaji është vaj, e shpata është shpatë/ (…) mos m’i theni bagremët/a thua duhet t’ua përsëris/o m’i leni rehat ato, sepse gjithëve do t’ju shkallmoj!
Kënga do ta arsyetonte veten nëse ajo do të kishte lidhje me të vërtetën, po a kishte? Autori, nga motive njerëzore dhe patriotike, mund të ketë mbajtur anën e popullit të vet “të rrezikuar”! Por, a kishte mbajtur anën e së vërtetës? Dikush si ai duhej të dallonte çka është propagandë, e çka e vërtetë? Ose ndoshta Novi Sadi ishte larg nga Prishtina dhe Ballasheviqi më të afërt e kishte të vërtetën që e serviste Beogradi i Millosheviqit! Se ndoshta si shumica e serbëve atë kohë indoktirnimi, ishte edhe ai me të!Me një rast, kishte thënë se asnjëherë nuk ka qenë në Kosovë, bile as që e di nëse ka apo jo bagrema atje(!?), siç këndon në baladën e tij, që u bazuaka në ngjarje të vërtetë, sipas rrëfimit të një serbi! Por e vërteta është se nuk ishin shqiptarët që i dëbonin serbët duke ua blerë shtëpitë me çmime shumëfish më të shtrenjta, me qëllim të pastrimit etnik, siç e paraqiste propaganda serbomadhe. Serbët iknin për jetë më të mirë, pse të jetonin në pjesën më të pazhvilluar të Jugosllavisë, për prapambeturin e së cilës kishte faj vetë Serbia?! Këtë kontekst, Ballasheviqi nuk e kishte kuptuar ose nuk ka dashur ta kuptojë, ndaj e futi lajthitjen e tij në njërën nga këngët më të bukura të tij.
Ish ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, deklaratës së cilit i dhanë publicitet edhe mediat serbe, pikërisht me rastin e vdekjes së Ballasheviqit do ta kujtojë mesazhin e këngës së sipërpërmendur: Kjo këngë është pjesë e propagandës së vrazhdë nacionaliste antishqiptare që e nisën qarqet e Beogradit, e që Ballasheviqi e përmblodhi nga fundi i viteve 80-të, duke i dhënë krahë suprimimit të autonomisë së Kosovës. Tjetra është histori, duke përfshirë edhe kundërshtimin e mëvonshëm të Millosheviqit”. Por, edhe serbët joregjimistë të tashëm, nuk do të pajtohen me këtë. “Duhet të keni turp që po gënjeni dhe e lidhni me nacionalizmin z.Ballasheviqin, njeriun që i bashkonte popujt”, ishte përgjigja e Dragan Gjillasit, i cili për të dëshmuar se Ballasheviqi ka kënduar ndaj një të keqe që sot po dëshmohet. “Gjykimet e tashme, si dhe numri i serbëve që e kanë braktisur Kosovën gjatë disa dekadave të fundit, dëshmojnë për mënyrën se si liderët tuaj (pra, kosovarë-vër.e aut.) kanë vepruar ndaj serbëve. Për Ballkanin Perëndimor nuk ka ardhmëri gjersa të gjithë nuk do t’i pranojnë krimet që i ka bërë populli i tyre”, kishte shkruar në polemikën e Gjillasit.
Por, nëse e kemi fjalën te krimet e “popullit të vet”, me logjikën e Gjillasit, atëherë duhet t’ia shtrojmë pyetjen: pse Ballasheviqi nuk bëri ndonjë paralele me shpërnguljen e dhunshme dhe të programuar nga shteti ndaj shqiptarëve për Turqi? Në krye të kësaj ishte një serb, apo jo?
Është fakt, pra, atë e thotë P. Selimi, se vërtet Ballasheviqi, ka qenë kundër luftërave që i ka nxitur Millosheviqi, për çka ngapak ka qenë i anatemuar nga media regjimiste. Por, çështja është se a e ka larë veten nga mesazhet e këngës “Mos m’i theni bagremet”, siç ka krijues të cilët mund të kenë hequr dorë nga ndonjë vepër për arsye të ndryshme? Isha kureshtar të shoh, hulumtova pak dhe vërejta se atë këngë ai e ka kënduar në çdo koncert, përherë duke i paraprirë me ndonjë arsyetim. Në një koncert të 2006-s kishte thënë: “po ua këndoj këngën për të gjithë bagremët e thyer prej këtu gjer në Menhetën”? Një përpjekje për t’i dhënë karakter universal? Ndoshta. Por jo, në vitin 2018 e kishte kënduar prapë në koncertin e mbajtur në vendlindjen e tij, në Novi Sad, me një fjalim të shkurtër për të përcjellë mesazhet e tij politike antiregjimiste, me dozë kritike pse nuk e kanë zgjidhur problemin për të cilin ai ka kënduar që para 30 vjetësh. Duke plotësuar se qëllimi ka qenë që njerëzit që kanë ikur prej andej t’i vendosin në Vojvodinë, e pastaj të kontestohen me fqinjët(pra, me shqiptarët), ose për të lëvizur nja 20 kilometra më poshtë(çudi, edhe ky paska qenë ithtar i këmbimit të territoreve!).
Mbetet fakti se ai për këto vite nuk është larguar nga mesazhet e këngës “mos m’i theni bagremat”, ku ai shqiptarët i bënte dëmtorë të pronave serbe!Është pra, për t’u çuditur dhe për të të ardhur keq, që një këngëtar si Gjorgje Ballasheviqi, me gjithë ato balada e hite të paharruara, ashtu siç e njohin në gjithë nga Jugosllavia e Titos, ta ketë këtë njollë për shkak të fajësisë që ua hedh shqiptarëve të Kosovës, duke mbetur si një paradoks që assesi nuk do të duhej të shkonte me imazhin e tij të ndërtuar prej pacifisti!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)