Që kur është vendosur taksa për mallrat me origjinë nga Serbia, Kosova ka importuar më shumë produkte. Por, thuajse asnjë nga ky shtet fqinjë.
Rreth 37 milionë euro mallra “Made in Serbia” që importoheshin çdo muaj, janë zëvendësuar me ato të shteteve tjera të botës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregtinë e jashtme taksës 100 për qind më së shumti ia ka parë hairin Gjermania dhe Italia, shkruan gazeta inFokus.
Nga Italia janë importuar gati pjesa më e madhe e produkteve zëvendësuese.
Nga 13 milionë euro sa ishte vlera e importit nga ky shtet në tetor të vitit të kaluar, në të njëjtën periudhë të këtij viti importi ishte 33 milionë euro, shkruan gazeta inFokus.
Ndërkaq, pjesa tjetër sipas statistikave, është mbuluar nga Bullgaria e cila ka rritur eksportin në Kosovë nga 6 milionë në 13 milionë euro.
Një pjesë e konsiderueshme e produkteve, del të jetë zëvendësuar edhe nga Gjermania, Austria dhe Maqedonia.
Nga Gjermania, në tetor të këtij viti janë importuar 40 milionë euro mallra derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar u importuan produkte në vlerë 33 milionë euro, shkruan gazeta inFokus.
Austria nga 3.6 milionë euro sa kishte eksport në Kosovë, tani eksporton në kosovë 7 milionë euro mallra.
E Maqedoni, prinë në vendet e CEFTA-s si shteti prej nga Kosova ka blerë më së shumti produkte në kohën sa është në fuqi taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Nga 15.7 milionë euro mallra sa importoheshin para taksës nga ky vend, tani në muajin tetor të këtij viti janë importuar 21 milionë euro, shkruan gazeta inFokus.
Ndërkaq, Shqipëria e cila pritej të rriste prezencën ne tregun e Kosovës si rezultat i barrierave ndaj Serbisë, përkundrazi ka pësuar rënie në vlerën e eksporteve në Kosovë.
Nga ky shtet, Kosova në muajin tetor 2019 ka importuar 19.7 milion euro mallra derisa një vit më parë, në të njëjtën periudhë kishte importuar 22 milionë euro mallra.