Nuk do të jemi të sinqertë nëse nuk pohojmë se gjatë jetës tonë nuk kemi dëgjuar dikë ose nuk e kemi përdorur dhe vetë shprehjen “Mos dashtë Zoti të sëmuresh, nëse nuk ke para, më mirë të vdesësh menjëherë”! Unë e kam të njohur këtë shprehje, dhe pikërisht për këtë kam vendosur të flas pak më shumë dhe më gjerë lidhur mbi këtë temë. Jetojmë në një epokë absolutisht komerciale, në të cilën fakt është se gjithçka rrotullohet rreth parasë
Nga Agim JONUZ
Kjo është e qartë, megjithatë edhe këtu ekziston një rregull. Ka disa ligje që janë jashtë dokumentit dhe rregullores së shkruar. Ajo quhet “etikë”. Etika është një term universal që vlen për të gjitha degët e jetës shoqërore, por në një farë mënyre, ne e përjetojmë atë më ndjeshëm, më emocionalisht kur flasim për kujdesin shëndetësor dhe sistemin që deklaron se kujdesi shëndetësor është falas. Epo të jemi të sinqertë, nuk është aspak falas! Siç thotë populli “as në tualet nuk mund të shkosh nëse nuk paguan nga xhepi madje edhe për punën më të parëndësishme në një institucion shëndetësor”! Pra, ironia e filozofisë së “shëndetësisë falas” po përjeton një rilindje. Është absurde të krahasohet shëndetësia shtetërore deklarative falas me atë private, sepse në sektorin privat rregullat janë të qarta, koncize dhe të deklaruara hapur. Sektori privat thotë, “kërkon shërbim të nivelit të lartë, ilaç dhe zgjidhje”?,… Po! Ne rregull “çmimi është ky”. Askush nuk ju detyron të shkoni në një institucion shëndetësor privat. Është zgjedhja juaj e cila vjen sipas mundësive dhe pozicionit tuaj përsa i përket aspektit social.
Ky është një përkufizim i thjeshtë. Nëse ke para – shko në spital privat, nëse nuk ke para – ja ku është institucioni shtetëror. Pikërisht këtu qëndron çështja të cilën duam të analizojmë në këtë tekst. Cili është ndryshimi në ofertën, shërbimin dhe cilësinë dhe në fund kush paguan për të gjitha këto në shëndetësinë shtetërore. A nuk janë falas shërbimet shëndetësore në shtet?! A nuk kujdeset shteti për qytetarët që t’iu siguroj kushte për trajtim?! Për fatin e keq të qytetarëve përgjigja është “JO”.
Sistemi shëndetësor në Maqedoni po kalon një periudhë që sipas shprehjes së popullit thuhet “nuk dihet as kush pi as kush paguan”, ndërkohë që pacientët përballen me absurditete në momentet kur jeta e tyre shpesh varet në fije të perit. Sigurimi shëndetësor në Maqedoni mbart shumë paradokse. Para së gjithash, jemi të vetëdijshëm dhe dëshmitarë të faktit se sistemi shëndetësor është në kolaps (rrënim) për shumë arsye, por të theksojmë se përveç ndikimit politik, të cilin e kemi diskutuar dhe analizuar disa herë, vendimtar është edhe ndikimi financiar. Nevojitet planifikim cilësor i fondeve, me qëllim ofrimin e shërbimit shëndetësor cilësor për qytetarët. Po të kemi parasysh se fondi i shëndetësisë duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet e trajtimit të një personi të siguruar, duke pasur parasysh se kjo nuk ka dhe nuk duhet të ketë kufizime kur bëhet fjalë për shëndetin, cila është mbrojtja e qytetarit, domethënë “cila është apo më saktë çfarë përmban paleta e shërbimeve që qytetari merr nga shëndetësia publike”.
Këtu vijmë tek “pika kancerogjene” kyçe e cila thotë se në një sistem shëndetësor në rrënim, që është kriminogjen, i politizuar dhe i hershëm (vjetër), e vetmja mënyrë që qytetari të marrë një shërbim të plotë dhe cilësor është vendosja e një bashkëpunimi serioz me shëndetësinë private. Cilat janë përvojat, a ka një vullnet të mirë për diçka të tillë dhe cili është problemi?
Problemi është shumë i thjeshtë! Paratë! Kujdesi shëndetësor privat funksionon ekskluzivisht mbi parimin “paguaj dhe merr shërbimin”. Por kush i paguan “privatët” nëse marrim parasysh që tashmë përvojat janë të këqija dhe kemi një marrëdhënie në të cilën fondi shëndetësor ka shfaqur mospërputhje të mëdha, shembulli më i mirë për këtë është përvoja me pandeminë Covid-19, kur shteti detyroi klinikat private të marrin përsipër një pjesë të pacientëve, të vënë në dispozicion ambientet e tyre dhe të kontribuojnë në trajtimin e suksesshëm të pandemisë. Në fund rezultoi se fondi i shëndetësisë, edhe pse ka pasur detyrim, thuhet se nuk i ka paguar asgjë askujt, ndërkohë që sektori privat duhet të ngarkoj dikë për shërbimet që ofron “dashur-padashur”. Shembulli më i mirë për këtë është klinika private “Zhan Mitrev”, e cila në fund jo vetëm që nuk u pagua për pjesëmarrjen e saj në trajtimin dhe kujdesin e pacientëve të sëmurë me Covid-19, por edhe u akuzua publikisht se kishte përfituar të ardhura nga shërbimet e ofruara. Bëhet fjalë për trajtim adekuat dhe cilësor. Pyetja është shumë e thjeshtë, kush duhet të paguajë dhe kujt, në një situatë bashkëpunimi të detyruar. Pra, fondi nuk e paguan sektorin privatin, nga ana tjetër sektori privat ofron shërbim dhe sigurisht në fund dikush duhet të paguaj faturën. Nuk them se është krim më pak se vetë akuza, por logjika është e thjeshtë. Institucionet private shëndetësore, përfshirë edhe klinikën “Zhan Mitrev”, nuk janë organizata humanitare.
Këto janë institucione private shëndetësore që punojnë sipas parimit të vetë financimit dhe vetë planifikimit financiar. Vetë fondi i shëndetësisë është i kufizuar në mundësitë e tij për t’i ofruar qytetarit të thjeshtë një shërbim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Kujdesi shëndetësor privat ofron shërbimin më cilësor dhe më të plotë. Në fund të fundit, ky është roli i tij.
Unë si qytetar i thjeshtë, parashtroj pyetjen në vijim. Nëse unë si qytetar në mënyrë korrekte dhe rregullisht i paguaj çdo muaj “detyrimet” e mia ndaj shtetit për “shëndetësi dhe pension”, atëherë përse shërbimi shëndetësor publik nuk më ofron një shërbim adekuat dhe cilësor!? Mua nuk më intereson asgjë tjetër. Përse shëndetësia publike, nëpërmjet fondit të saj të shëndetësisë, nuk ka bërë një bashkëpunim cilësor me shëndetësinë private dhe nuk ka zgjeruar gamën e “shërbimeve” për qytetarët e vet me qëllim ofrimin e “kujdesit dhe mbrojtjes së duhur”. Përse!? Përsëri, i kthehemi të njëjtës gjë! Për përfitime të ardhurash. Fondi shpërdorohet në shtet nga secili në mënyrën e vet dhe secili me modelet e veta “diçka për ty – diçka për mua” përmes tenderëve, përmes rregullave dhe rregulloreve që lejojnë manipulime të ndryshme. Sistemi shëndetësor është në kolaps, dhe pacientët përfundojnë sërish duke paguar për gjithçka, pavarësisht “shëndetësisë falas”. Është një paradoks. Përsëri në mënyrë legjitime parashtrojmë pyetjen prej një milion dollarësh – nëse ka një qarkullim legjitim të parasë (publike), përse qytetari i thjeshtë nuk merr shërbim shëndetësor cilësor dhe adekuat? Gjithnjë e më shumë po bëhen thirrje publike për një “reset/rivendosje” serioze në shëndetësi. Momentalisht sistemi është në kolaps.
Fondi shëndetësor është vetëm një pjesë e sistemit. Duhet të rishikohet, riorganizohet, ripërcaktohet dhe rivendoset në qarkullimin e parave. Të bashkëpunojë me institucionet private shëndetësore, me kompanitë e sigurimeve që janë në rritje pas ngritjes së çështjes për bashkëpunim në shëndetësi. Me qëllim që “mua” qytetarit e thjeshtë që paguan në mënyrë të vazhdueshme detyrimet ndaj shtetit, të më ofroj një shërbim shëndetësor të plotë, cilësor dhe adekuat.
Në fund shtrohet një pyetje tjetër po aq e thjeshtë sa dhe serioze. Sëmurem. Bie në shtrat. Kërkoj ilaç për shpëtim. Shteti thotë “prit”,… tani nuk ka,… do të bëhet ( “kur të qethen viçat”), operacioni do kryhet në pranverë, tani nuk ka vend, por nëse paguan, doktori mund të të operoj nesër… Po përse duhet të paguaj! Ku shkojnë paratë e mia!?! Askush nuk di “Kush ha, kush pi dhe kush paguan”!!! A ka njeri zgjidhje për këtë!?! Ka!,… por problemi është kush “qëllon” i pari!!!