Historitë e vjedhjes së bankave në SHBA kanë zanafillë të hershme dhe janë po aq të shtrira në kohë sa edhe vetë aktiviteti i bankave. Por rasti i Xho Lojës është unik, raporton Panorama. Ai nuk ka qenë një grabitës si gjithë të tjerët. Xho Loja grabitjen e bankës e kishte domosdoshmëri. Ai ishte i varur nga adrenalina më shumë se sa nga jeta kriminale e të fortit. Xho Loja edhe sot vazhdon të inspirojë të rinj që jepen pas vjedhjes, që të kthehen në normalitet. Ai është personi që bëri një jetë të dyfishtë dhe ishte perfekt edhe pse vidhte i pamaskuar. Xho Loja kishte patur probleme në fëmijëri më të atin, i cili ishte paksa i dhunshëm me të. I lindur në Los Anxhelos, Loja shkëputet nga i ati dhe nis jetën e tij. Ai nisi hakmarrjen me të atin, që u bë prift baptist dhe përdori të ardhurat e kishës së tij për të nisur jetën kriminale. Mirëpo, disa vite më pas kapet me një makinë të vjedhur dhe dënohet me dy vjet burg. Pasi del nga burgu, Loja nis planet për vjedhjet e bankave. Gjithçka nis në vitin 1985 kur vjedh një bankë në San Diego. Loja hyn i pamaskuar dhe i zgjat një letër arkëtares që shkruante: “Kam bombë dhe armë, më jep paratë dhe mos bërtit”. Kështu, loja merr vetëm 4 mijë dollarë dhe kështu nisin vjedhjet e bankave. Ai vjedh mbi 40 banka në të njëjtën mënyrë për 3 vjet. Nga ana tjetër, pamja fëminore ishte një maskë për të, po aq sa edhe mënyra se si sillej me të tjerët. Loja punonte si kuzhinier në një restorant dhe ishte mjaft i dashur me kolegët. Ai i çonte ata të luanin golf, nuk kursente asgjë për ta dhe të gjithë e donin dhe nuk mund ta imagjinonin dot se ai vidhte banka. Po kështu, Loja ëndërronte të bëhej edhe shkrimtar, ëndërr kjo që iu realizua disa vite më vonë. Por në fund të vitit 1989, Loja vjedh një bankë, e cila kishte nisur të përdorte një mikroçip të fshehur mes parave për të lokalizuar grabitësin. Kështu, Loja u kap dhe përfundoi në burg. Mirëpo, agjenti federal u mahnit nga zgjuarsia e Lojës dhe se ai ishte një person i lexuar dhe botë. Ndaj vendosi të kërkonte lirim me kusht për të. Mirëpo, Loja e tradhtoi, edhe në lirim me kusht nisi të vidhte banka, gjersa u kap sërish. Agjenti federal nuk e fali, kërkoi dënim me 10 vjet burg në një burg federal. Këto 10 vite Loja u rehabilitua dhe kur doli nga burgu nisi karrierën si shkrimtar. Ai ka sot një fondacion që ndihmon të rinjtë të heqin dorë nga vjedhja dhe të rehabilitohen pas dënimeve.