Samedin Mehmeti është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, në vend të Rashit Qalajt, I cili është liruar nga kjo detyrë me vendim të Kryeministrit Avdullah Hoti.
Në biografinë e Mehmetit, e cila është e publikuar në uebfaqen e Policisë së Kosovës, thuhet se ai ka shërbyer në pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës. Ai ka filluar shërbimin si polic patrullues e pastaj ka kryer detyra të ndryshme operative dhe operacionale. Ai ka qenë edhe Zëvendës Drejtor për Operativë, udhëheqës i njësisë për Tranzicionin e kompetencave policore nga UNMIK-u në Policinë e Kosovës dhe Drejtor i Administratës në Departamentin e Policisë Kufitare.
Përveç përvojës në polici, Samedin Mehmeti ka përvojë edhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Ai ka punuar disa vite në Departamentin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në Misionin e OKB-së në Afganistan.
Pas kthimit nga Afganistani, Mehmeti ka qenë Kryesues i Komisionit të Brendshëm Disiplinor dhe Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Samedin Mehmeti ka ndjekur shumë programe të ndryshme të ngritjes profesionale, të cilat lidhen me fushën e sigurisë në përgjithësi dhe me terrorizmin në veçanti. Ndër gtë tjera, ai ka ndjekur programe të profesionale e specialistike në Akademinë Nacionale të Policisë së Turqisë në Ankara, në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën “Marshall” në Garmishpartenkirchen në Gjermani, në Europa-Universitat Viadrina, Frankfurt (Oder) po në Gjermani, në Cranfeld University-Defence Academy of United Kingdom në Londër, në Kings Collage – University of London e në programe dhe trajnime nga fusha e sigurisë.
Z. Mehmeti ka botuar punime të ndryshme me karakter hulumtues e shkencor nga fusha e sigurisë në revista të ndryshme dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore me recension ndërkombëtar. Ai është edhe bashkautor në “Enciklopedinë e policive të Evropës Juglindore”,të botuar nga shtëpia botuese “Springer” në SHBA.