Kush është përgjegjës për ‘fryrjen’ e listave të Veteranëve

12

Njëri prej të përfshirëve në aktakuzën e Prokurorit Blakaj për fryrje të listave të veteranëve është edhe ish përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari. Por, Jashari mohon të ketë bërë një gjë të tillë dhe gjithë fajin e hedh të komandantët e zonave përkatëse dhe vartësve të tyre. Ai për Express ka thënë se nuk është marrë fare me verifikimin e veteranëve dhe se kjo ka qenë përgjegjësi e komandantëve të zonave. Deklaron se nëse diçka e tillë është e vërtetë, ai është i gatshëm të marrë përgjegjësi.

Ish përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari aktakuzën që Prokurori Elez Blakaj ngriti ndaj 11 të dyshuarve për fryrje të listave të veteranëve, ku përmendet edhe vet Jashari, po e quan lojë. Ndërsa tërë përgjegjësinë po e hedh te komandantët e zonave operative dhe vartësve të tyre.

Jashari ka thënë të shtunën për Gazetën Express se ai nuk është marrë fare me verifikimin e veteranëve, por vetëm se ka qenë anëtar i komisionit. Deklaron se verifikimin e veteranëve e kanë bërë komandantët e zonave dhe vartësit e tyre.

Thotë se nëse ndonjëri nga komandantët e ka nënshkruar ndonjë dokument të tillë, atëherë do të pasojnë edhe masat ndëshkuese.

“Verifikimin e kanë krye komandantët e zonave me vartësit e tij. Ne i kemi ba rregulloret e punës sipas ligjit, po nëse ka raste të tilla ndonjë aplikacion, atëherë përgjegjës është komandanti që e ka nënshkru. Nëse ndonjëri prej komandantëve e ka nënshkruar ndonjë dokument të tillë , dhe faktohet që ai nuk ka qenë atëherë parashihen edhe masat ndëshkuese me ligj.

Shton se Prokurori Blakaj do të duhej ta dërgonte këtë punë deri në fund dhe nëse diqka e tillë është e vërtetë, ai është i gatshëm të marrë përgjegjësinë.

“Ajo qka mundem me të thanë është se po më duket njëfarë loje që nuk po e di nga kush po vjen, por megjithatë, ai që është marrë me ato dokumentacione, prokurori është dashtë të jetë këtu dhe ta dërgoj këtë punë deri në fund pasi edhe unë jam interesum me dërgu deri në fund këtë punë, pasi që nëse në realitet ka diqka të tillë qka po thuhet se është rrit numri, edhe Xhavit Jashari duhet me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Jashari.

Ai e pranon se është ftuar nga Prokurori për intervistim dhe ka treguar se nuk kanë pasur ndonjë ankesë për këtë çështje.

“Nuk e di se pse është vendos emri im aty. Ai mund të vendoset që kam qenë si anëtar i komsisionit por nuk kam verfiku veteran unë. Po jam thirrë. Unë e kam spjegu se si ka shku procedura, e na si komision qendror kemi spjegu se nuk ka pasur asnjë ankesë se dikujt i është ba e padrejtë”, tha ai.

E debatin po bëhet lidhur me listat e veteranëve, për Jasharin është i tepruar, pasi që asnjëherë nuk është ditë numri i saktë i veteranëve.

Jashari nuk harroi pa e përmendur as Prokurorin Blakaj, për të cilin tha se nëse nuk ka qenë i kërcënuar , ata do të kërkojnë nga Prokuroria që të nisin hetimet për ta, pasi që askush nuk ka të drejtë të njollosë njerëz që kanë dhënë jetën për liri.

“Unë mendoj që është e nivelit të ulët kur një prokuror merret me një çështje dhe largohet nga Kosova, dhe prej vendit ku ka shku të lëshojë deklarata të tilla.

“Nëse del që prokurori nuk ka qenë i kërcënuar, ne do të kërkojmë që prokurori të hetohet nga Prokuroria sepse nuk a të drejtë me njollos njerëz që kanë dhanë kontributin për me ardhë deri te liria e vendit”, tha Jashari.

Edhe ish-Shefi i UÇK-së, Agim Çeku ka thënë se ende s’e ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me një aktakuzë të Prokurorisë Speciale ndaj Komisionit për Verifikimin e veteranëve të UÇK’së. Ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa do të flasë më shumë vetëm nëse i zyrtarizohet akuza.

Ndërsa, Ish-Shefi i UÇK’së për Nerodime, Shukri Buja ka thënë listat u frynë me vendime politike dhe se përgjegjës janë Thaçi, Haradinaj, Veseli e Mustafa.

Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit.

Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore.

Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari. Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i ka identifikuar prokurori special i dorëhequr ditë më parë, Elez Blakaj.

Comments are closed.