Shkup, 5 prill – Presidenti Gjorgje Ivanov dhe VMRO-DPMNE tek shqiptarët shihen si përgjegjësit kryesor të krizës pas-zgjedhore në Maqedoni. Kështu tregon anketa më e re e Institutit TEAM dhe e mbështetur nga USAID-i dhe Instituti Nacional Demokratik (NDI). 24.1 për qind e të anketuarve shqiptarë janë shprehur se “fajtori kryesor” i krizës në Maqedoni është presidenti Ivanov, 27.1 për qind përmendin VMRO-DPMNE-në, 8.5 për qind mendojnë se fajtor është BDI, ndërsa për VMRO bashkë me BDI si fajtorë janë shprehur 7.5 e të anketuarve shqiptarë, shkruan gazeta KOHA. Tek maqedonasit, tabloja e fajësisë është krejtësisht ndryshe. Mbi 15 për qind e maqedonasve janë shprehur se fajtor kryesor për krizën është Platforma shqiptare dhe partitë politike shqiptare, LSDM-në e kanë përmendur 14 për qind, VMRO-në si fajtore e etiketojnë 11.9 për qind e maqedonasve, derisa për fajësinë e presidentit janë shprehur 11.5 për qind. Për Zoran Zaevin si fajtor mendojnë 4.6 për qind e të anketuarve maqedonas. Anketa është realizuar me rreth 1000 të anketuarve nga të dyja etnitetet shumicë në vend. (koha.mk)