Dënim me burgim ka kërkuar prokurorja Merita Binaj-Rugova për 9 të akuzuarit për përgatitje të sulmit terrorist në Shkodër, gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, raporton KTV. Duke paraqitur fjalën përfundimtare, prokurorja ka thënë se të akuzuarit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të organizuar sulmin terrorist.
Sipas aktakuzës, për këtë rast kanë bashkëpunuar edhe me Lavdrim Muhaxherin. Por, me kërkesën e Prokurorisë nuk janë pajtuar të akuzuarit, duke e quajtur çmenduri aktakuzën. I akuzuari për përgatitje të sulmit terrorist, Burim Istrefi, ka deklaruar se kishte kërcënime nga policët hetues për t’u bërë dëshmitar bashkëpunues.
Avokati i të akuzuarit Leotrim Vojvoda i ka quajtur supozime pretendimet e Prokurorisë. Gjatë këtij procesi gjyqësor, tre prej 9 të akuzuarve, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj dhe Besart Peci, e kanë pranuar fajësinë. Aktakuza ndaj tyre është ngritur në qershor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Aktgjykimi për këtë rast do të jepet të premten.