Këto përpjekje duhet kuptuar si gjeste të bukura, pa paragjykime, zaten ashtu siç janë kuptuar në mediat shqipe politikanët maqedonas që në ndonjë moment solemn kanë bërë përpjekje për të folur shqip, pa i vënë në tallje ato përpjekje parimore
Nga Daut DAUTI
- Si duket, nuk ka fat Ali Ahmeti! Nuk e kuptojnë drejtë as kur bën politikë, as kur në sinqeritetin më të madh jep mesazhe përtej politikës! Duke përjashtuar përfaqësues të ekzekutivit, ai, me sa mund të kujtojmë, është politikani i vetëm shqiptar që ka uruar një festë si 24 maji, ditës së iluministëve gjithësllavë, Kirilit dhe Metodit. Dhe përsëri u gjet në shënjestër, me dyshimet e vjetra dhe të reja për qëllimin, apo me dilemat ç’ka dashur të thotë autori. Shumëkush pyeti: Pse pikërisht tash? Përmenda në fillim sinqeritetin, sadoqë pakkush mund të besojë në sinqeritetin e politikanëve. Por në rastin e liderit të BDI-së, me gjithë mesazhin që ka dhe qëllimet politike, nuk mund t’i mohohet sinqeriteti.
E sinqeriteti konsiston në përpjekjen për t’iu drejtuar popullit maqedonas me porosinë e qartë se sa ka respekt ndaj gjuhës maqedonase dhe sa e kupton ndjeshmërinë e problemit identitar.Me këtë, edhe në mënyrë indirekte të hedhë poshtë çdo dyshim se ai dhe partia e tij bëjnë diçka që të cenohen ato.
Kjo është ajo përpjekje e Ali Ahmetit që respektin e vet ta shprehtë duke iu drejtuar në maqedonisht bashkëqytetarëve. Por këtu është “papërsosshmëria” e maqedonishtes së tij. Edhe kjo në anën tjetër, tregon sinqeritetin tjetër të tij dhe hedh poshtë çdo dyshim të deritashëm që thoshte se AliAhmeti nuk flet maqedonisht, sepse nuk do. Me gabimet në theks gjatë leximit të porosisë, tregon se ai flet një maqedonishte jo të përsosur në pikëpamje të theksit, ndaj dhe deri tash, sigurisht edhe në të ardhmen, do t’i ikë komunikimit të shlirshëm, pikërisht për këtë shkak.
Nëse do të donim të bëjmë krahasime, do të duhet të themi të vërtetën se edhe ashtu siç e flet, maqedonishtja e Ali Ahmetit është shumë më e mirë se përpjekja qesharake e Gruevskit ose ndonjë politikani tjetër maqedonas, për t’iu drejtuar shqiptarëve në gjuhën e tyre. Këto përpjekje duhet kuptuar si një gjest të bukur, paparagjykime, zaten ashtu siç janë kuptuar në mediat shqipe, pa i vënë në tallje ato përpjekje parimore.
Çdo pjesëtar i një kombi mund të flet shumë gjuhë, por në çdo gjuhë tjetër pos asaj amtare, do të vërehen patjetër defektet. Sepse është e natyrshme të mos jemi të përsosur. Në rastin e Ali Ahmetit, ka pasur paragjykime të shumta, duke harruar faktin kryesor: ai që nga rinia, është larguar nga Maqedonia dhe në Perëndim ku ka jetuar me dekada, nuk ka pasur as mundësi, as nevojë ta flasë, ndaj dhe maqedonishtja ka mbetur në një nivel të fëmijërisë së tij, edhe ashtu të mësuar në kushte të distancimit nga mjedisi rural ku ndikimi i një gjuhe tjetër është më i madh. Kjo pra, është e gjithë e vërteta nga një aspekt kulturologjik.
E tash, nëse marrim aspektin politik, mund t’i kuptojmë edhe motivet e Ali Ahmetit në këtë moment kyç për Maqedoninë, kur procesi i eurointegrimit çon përmes një kompromisi, siç është futja e bullgarëve në kushtetutë, çështje kjo e paragjykuar nga një pjesë e qytetarëve të manipuluar nga mediat dhe disa subjekte opozitare. Në këtë mënyrë lideri i BDI-së, i cili së fundmi gjithë energjinë e ka vënë në shërbim të kauzës evropiane, mëton të afrojë edhe subjekte të tjera dhe të bindë edhe publikun në qëllimin e përbashkët.
- Në Kosovë po zhvillohet një debat i zjarrtë për një ligj lustracioni. Një temë e tranzicionit, që shumë vende e kanë kryer menjëherë pas rënies së komunizmit, e disa paksa me vonesë(si Maqedonia), e disa kanë dështuar fare. Në këtë grupin e fundit, bien edhe Kosova edhe Shqipëria, sepse edhe sikur t’ia nisnin tash, s’mund t’i ikin dështimit. Para se të sillet çfarëdo ligji, duhet pasur parasysh aspektet manipulative që duhet të eliminohen, nëse kjo është fare e mundur. E dyta është çështja e përgatitjes së shoqërisë me ballafaqimin me të vërteta të hidhura për persona për të cilët mund të ketë perceptim tjetër.
Qëllimi kryesor i çdo lustrimi në vendet ish-komuniste, ka qenë pengimi i ish-bashkëpunëtorëve të ish-shërbimeve të sigurimit që të vijnë prapë në pushtet ose të kryejnë funksione përgjegjëse publike. Shikuar nga ky aspekt, çdo lustrim i tashëm është i panevojshëm, sepse ligjet biologjikee kanë bërë të veten, ata që kanë shërbyer para 3, 4, 5 e më shumë dekadash, e as të përndjekurit e atëhershëm, ose nuk janë më në jetë, ose për shkak të moshës, nuk merren me kurrfarë aktiviteti politik ose funksioni publik. Për kë do të bëhej lustrimi nëse jo për ta? Përse të bëhej lustrimi, nëse më nuk kanë kurrfarë ndikimi, kujt t’i bëhet lustrimi, nëse s’ka mbetur kush prej atij regjimi? Tash, në rastin e Kosovës, me të drejtë është imponuar nevoja e lustrimit jo të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist, por të etapës së fundit, atë të periudhës së Millosheviqit. Kjo ka logjikë, sepse në Kosovë, që pas ardhjes në pushtet të Millosheviqt, por dhe gjatë luftës, ka pasur një numër shërbëtorësh të tij, të cilat u kanë shkaktuar dëm shqiptarëve dhe janë fajtorë të drejtpërdrejtë edhe për krime lufte. Përfshirja e tyre në procesin e lustrimit do të ishte vërtet një qëllim i arsyeshëm, sepse plagët që kanë lënë ata, ende pikojnë gjak.
Një problem kryesor, ndash për të hapur dosjet e gjithë periudhës së regjimit komunist, ndash vetëm këto të periudhës së Millosheviqit, është mungesa e dosjeve që do t’i kenë mbajtur shërbimet kosovare. Pse? Sepse, pas masave të dhunshme, gjithë materiali arkivor i Kosovës pat rënë në duart e organeve të administratës së dhunshme të Serbisë, të cilat me largimin e tyre, mund ta kenë marrë me vete, ose ta kenë asgjësuar. Kësisoj, edhe nëse ka mbetur diçka në Kosovë, ajo është e “mjaftueshme” vetëm për të bërë një lustrim selektiv ose gjysmak, që do të ishte një padrejtësi, sepse do të dilnin në shesh emrat e ndokujt, e do të mbeteshin pa zbuluar emrat e shumë bashkëpunëtorëve, dosjet e të cilëve ndoshta ende i ruan Beogradi.
Rruga e vetme që ka mbetur të ndiqet, sipas mendimit tim, është deklasifikimi i dosjeve dhe materialit arkivor të mbetur në Kosovë për çështje hulumtimi shkencor.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)