Kalina Grivçeva Stardellova, drejtoreshës së Gastroenterohepatologjisë dhe kryetare e Dhomës së Mjekëve, për shkak të ushtrimit të dy funksioneve njëherazi dhe konfliktit të interesit, Antikorupsioni prej më shumë se një viti i ka kërkuar të japë dorëheqjen nga të paktën njëri prej funksioneve, por Stardellova, në kundërshtim me Ligjin – vazhdon të kryejë të drejtojë institucionin shëndetësor dhe po ashtu të japë edhe vlerësime për punën e vet. Duket të ketë mbrojtje të madhe nga zyrtarë të lartë të Shëndetësisë në Qeveri, komentojnë anëtarë të Dhomës së Mjekëve
Evis HALILI
Shkup, 12 dhjetor – Ka kaluar më shumë se një vit që Komisioni shtetëror i antikorrupsionit me një kërkesë për dorëheqje i është drejtuar Kalina Grivçevës Stardellovës, drejtoreshë e Gastroenterohepatologjisë dhe kryetare e Dhomës së Mjekëve, për shkak të ushtrimit të dy funksioneve njëherazi dhe konfliktit të interesit. Por Stardellova, në kundërshtim me Ligjin, vazhdon të kryejë të dy funksionet, të drejtojë institucionin shëndetësor dhe po ashtu të japë edhe vlerësime madje edhe për punën e vet. “Domethënë, ju si kryetare e Dhomës së Mjekëve, në situatën konkrete – do të kryeni mbikëqyrjen e punës tuaj profesionale si drejtoreshë e institucionit, gjë që është në kundërshtim me nenin 2 paragrafin 3 të LPKKI”, thuhet në vendimit e Antikorrupsionit, institucion ky që në nëntor të vitit të kaluar, i ka drejtuar vërejtje Grivçeva Stardellovës të heq dorë nga një detyrë zyrtare.
Sipas statusit të Dhomës së Mjekëve, ajo kryen autorizime publike dhe ka kompetenca për të mbikëqyrur punën profesioniste të institucioneve të shëndetësisë dhe të institucioneve të tjera që merren me aktivitet shëndetësor, si edhe të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të shëndetësisë, që është në pajtim me Ligjin për mbrojtjen shëndetësore. Pas mbikëqyrjes së punës profesionale, raporti mbikëqyrës, i përpiluar, dorëzohet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucionit ku është kryer mbikëqyrja.
“Ju informojmë se gjendeni në një situatë me konflikt interesi (neni 8 paragrafi 2 i Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit), pasi keni statusin e nëpunësit shtetëror dhe kryeni autorizime dhe detyrime publike. Statusi i një personi të emëruar ju privon që në të njëjtën kohë të kryeni më shumë funksione dhe detyra, që në rastin tuaj – janë dy detyra, pasi një gjë e tillë është në kundërshtim me LPKKI (neni 44 paragrafi 1)”, thuhet në vendimin e Antikorrupsionit që mban datën 22.11. 2019. Më poshtë, në këtë kërkesë Komisioni i ka përcaktuar një afat prej 15 ditësh që nga marrja e kërkesës që të eliminojë konfliktin e interesit, duke dhënë dorëheqje nga njëri prej dy funksioneve – drejtoreshë e IPSH Gastroenterohepatologjisë, ose kryetare e Dhomës së Mjekëve të RMV. Po ashtu, prej Stardellovës kërkohet që pranë Komisionit të dorëzojë dëshmi për procedurat që do të ndjekë. “Duke vepruar, kështu do ta tejkaloni situatën e konfliktit të interesit në të cilën gjendeni”.
Antikorrupsioni në lëndë të tilla, kur personi zyrtar nuk e informon Komisionin brenda afatit të përcaktuar, duhet të vërë në dijeni organin kompetent me iniciativën për ndërprerjen e aktivitetit ose detyrave publike, si edhe duke shqiptuar gjobë që shkon nga 300 deri në 500 euro. Ndërkohë Antikorrupsioni është në pritje. “Lënda është në procedura, por ende nuk është mbyllur përfundimisht. Në këtë fazë nuk mund t’ju jap më detaje”, thotë anëtarja e Antikorrupsionit që e shqyrton lëndën, Sofka Dojçinovska. Nga Antikorrupsioni, KOHA është në pritje të informacioneve të tjera, më të detajuara lidhur me këtë lëndë, përkatësisht se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, kush është institucioni që i është dërguar iniciativa për ndërprerjen e detyrave të Stardellovës dhe si kanë reaguar.
Reagime për dy postet zyrtare të Grivçeva Stardellovës ka pasur edhe në Dhomën e Mjekëve, ku anëtarë të shumtë kanë kërkuar nga drejtoresha të përcaktohet për njërën nga detyrat zyrtare, në pajtim me vendimin e Antikorrupsionit. Megjithatë, një gjë të tillë Grivçeva Stardellova nuk e ka bërë edhe një vit më vonë. Në Dhomën e Mjekëve dyshojnë se e njëjta mbrohet nga zyrtarë të lartë të Shëndetësisë në Qeverinë e vendit, pasi e njëjta as që i është përgjigjur vendimeve të Antikorrupsionit.
ÇFARË THOTË NENI 44 I LIGJIT PËR LIGJIT PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT
- “Një person i zgjedhur ose i emëruar gjatë kohëzgjatjes së mandatit është i detyruar që t’i respektojë rregullat për papajtueshmërinë e funksionit që e kryen me funksione të tjera ose aktivitete të tjera të përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet”
- “Personi i zgjedhur ose i emëruar është personi përgjegjës në një ndërmarrje publike ose një person tjetër juridik me kapital shtetëror dominant nuk mund të ushtrojë funksionin e anëtarit të këshillit drejtues ose të një organi tjetër drejtimi në një shoqëri tregtare ose të një tjetër personi juridik që merret me një aktivitet që sjell përfitime”
Neni 2 i Ligjit për Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit (Paragrafi 3 )
“Me konflikt interesi nënkuptohet situata në të cilën një person zyrtar ka interes privat që ndikon ose mund të ndikojë mbi kryerjen me paanshmëri të autorizimeve të tij publike ose të detyrave zyrtare”. (koha.mk)