Cesc Fabregas ka thënë se është e pamundur të zgjidhet mes ish-klubeve të tij, Chelseat dhe Arsenalit për finalen e Europa Leagues – pavarësisht faktit se mund të marrë medalje nëse “Të Kaltërit” triumfojnë. Dy rivalët nga Londra ndeshen kokë më kokë në Baku të Azerbajxhanit, të mërkurën mbrëma, me Maurizio Sarrin dhe Unai Emeryn që po kërkojnë ta përfundojnë sezonin e parë në qytet me një trofe.
“Ato janë dy klube të mëdha, më kanë dhënë shumë në karrierë,” tha Fabregas, transmeton Periskopi, përcjellë gazeta Koha.
“Arsenali – çka mund të them? Kalova me gjasë vitet më të mira të karrierës atje. Lidhja që e pata me fansat është diçka që ju nuk e shihni shumë shpesh. Edhepse nuk fitova shumë sa te Chelsea, nuk e kishim skuadrën aq të mirë sa te Chelsea, por garuam shumë mirë, për çdo vit shkuam në Champions League.
“Nëse më kërkoni të zgjedh, mendoj se do të ishte e pamundur për mua të zgjedh. Por, siç thashë, kam kujtime shumë, shumë të mira me të dy skuadrat.”