Patriot LUMANI
Strugë, 22 shkurt – Situata me fëmijët që lypin në rrugët e qytetit të Strugës është alarmante dhe ngrenë shqetësimin e qytetarëve të Strugës, të cilët kërkojnë një reagim më të vendosur të strukturave kompetente, shkruan gazeta KOHA. Të veshur keq, të ushqyer dobët dhe mbi të gjitha të shfrytëzuar, kjo është pamja që ata çdo ditë japin në qendër të Strugës. Janë me dhjetëra fëmijë dhe të rritur nga qytetet e ndryshme të Maqedonisë, të cilët kryesisht janë të nacionalitetit romë që kanë gjetur strehën në Strugë. Ata kërkojnë lëmoshë në rrugët e qytetit dhe, siç duket, e kanë nuhatur tashmë se qytetarët e Strugës dhe turistët që qëndrojnë për pushime këtu janë më dorë lëshuar me ta. Për shumë qytetarë të Strugës ky fenomen është interesant, sepse një pjesë e lypësve me të vërtetë nga halli shtrinë dorën për lëmoshë, por është shqetësues fakti, thonë ata që fëmijë të moshave të vogla mësohen me këtë praktik apo detyrohen nga më të rriturit që t’i futen këtij vesi, thonë qytetarët.
Ata ngrenë dyshime të forta se nga fëmijët që lypin në Strugë, janë të tjerë ata të cilët përfitojnë nga mundi i tyre janë më të rriturit tutorët e tyre, të cilët i organizojnë dhe i kontrollojnë për çdo ditë në punën e tyre dhe paratë e mbledhura nga lypja gjatë ditës shkojnë për tutorët në orët e mbrëmjes kur dhe mbaron dita e tyre e lypjes (punës).
Për drejtorin e Qendrës Sociale në Strugë, Vegim Nura, ky fenomen është prezent në masë të madhe në Strugë dhe në masë ushtrohet prej atyre që vinë prej qyteteve të tjera, ai ngre dyshime se pas lypësve qëndron një rrjetë kriminal që i kontrollon dhe përfitojnë prej tyre.
“Në këtë drejtim do të duhet një koordinim më i mirë i ndërmjet organeve, sidomos ndërmjet policisë dhe Entit social për të marrë masa që ky fenomen të kontrollohet dhe të ndalohet në të mirë të fëmijëve, të cilët detyrohen për të lypur. Në funksion të parandalimit të këtij fenomeni, së shpejti do të organizohet një takim edhe me policinë dhe pushtetin vendor në mënyrë që ata fatkeqët të mos shfrytëzohen në këtë mënyrë, siç po ndodh tani”, thotë për KOHA, Nura.
Ndërkohë, edhe për shumë qytetarë struganë autoritetet e shtetit do të duhet të ndërmarrin veprime dhe masa që këta fëmijë t’i largojnë nga rruga dhe të hetojnë për mënyrën se si ata janë përfshirë dhe kanë përfunduar në rrugë. Ndërkohë, ka të tjerë që mendojnë se Struga po kthehet në strehën e lypësve dhe ngrenë përfundime dyshuese se kjo situatë është vetëm në qytetin Strugës dhe jo në qytetin tjetër më të afërt, siç është Ohri ku nuk vëren fare lypës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.