Fatos RUSHITI
Shkup, 12 prill – Bllokimi i punës së Parlamentit po rrezikon seriozisht edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket asaj se kush duhet t’ua vazhdojë mandatin të kryetarëve të komunave, Parlamenti apo Qeveria aktuale. Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta thotë për gazetën KOHA se Qeveria me iniciativë të ministres së Pushtetit lokal, Shiret Elezi, do të debatojë për zgjedhjet lokale. Sipas Bejtës, Qeveria aktuale ka mundësi që të sjell konkluzë për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave. “Me sa di unë, Qeverie do të debatojë në lidhje me këtë çështje, edhe atë me iniciative të Ministres së pushtetit lokal. Për momentin ne kemi marrë mendim nga Ministria e pushtetit lokal që të kryejmë funksionin deri më 14 maj, kur edhe na skadon mandati katër vjeçar. Qeveria aktuale ka mundësi që të sjell konkluzë për vazhdimin e mandatit e kryetarëve të komunave deri sa të shpallen zgjedhjet e reja lokale”, thotë për gazetën KOHA Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së dhe ish ministër i Pushtetit lokal. Ai thekson më tej se ligji ka zbrazëtirë lidhur me atë se deri kur mund të jenë në funksion kryetarët aktual të komunave dhe kjo mund të shfrytëzohet nga Qeveria. “Ligji për vetë qeverisje lokale ka një zbrazëtirë sa i përket asaj se deri kur mund të jetë në funksion kryetari aktual, pra deri kur t’i adorëzon detyrën kryetarit të ri”, thekson Bejta, duke iu referuar nenit 52 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Paragrafi i dytë i nenit 52 të këtij Ligji thotë se “Kryetari i sapozgjedhur i komunës e pranon detyrën nga kryetari i mëparshëm në afat prej shtatë ditësh prej ditës së zgjedhjes”. Nga LSDM mbajnë qëndrimin se shpallja e zgjedhjeve dhe vazhdimi i mandatit të të zgjedhurve lokal duhet të vazhdohet përmes ndryshimit të Ligjit për vetëqeverisje lokale nga Parlamenti. “Ndonëse ende s’kemi qëndrim përfundimtarë, në parti mendohet se zgjedhjet duhet ti shpallë kryetari i ri Parlamentit ashtu që edhe vazhdimi eventual i mandatit të të zgjedhurve lokal të bëhet në Parlament, duke e ndryshuar Ligjin për vetëqeverisje lokale”, thonë për gazetën KOHA deputetë të LSDM-së me kusht anonimiteti. Për ta, Qeveria aktuale nuk është kompetente të sjellë vendim rreth zgjedhjeve lokale. “Qeveria aktuale për momentin është në detyrë deri në formimin e Qeverisë së re dhe ajo ka vetëm funksione teknike, pra zbaton ligjet dhe vendimet që i ka sjellë më parë. Kjo qeveri tani nuk ka kompetenca ligjore që të sjell vendime, e aq më shumë të sjell vendime për një çështje kapitale, siç janë zgjedhjet lokale”, thonë deputetë nga LSDM. Për lëvizjen BESA është Parlamenti që duhet të merr vendime e jo Qeveria në lidhje me zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komunave. Zëdhënësi i kësaj partie, Orhan Murtezani, është kritik ndaj sjelljes së Qeverisë e cila sipas tij është teknike , si dhe ndaj sjelljes së Presidentit, i cili vepron sipas udhëzimeve partiake. “Vendimin për zgjatjen e mandatit të kryetareve të komunave nuk duhet ta marrë Qeveria, por Parlamenti. Megjithatë, Maqedonia është bërë shtet karikaturë: Presidenti vepron sipas udhëzimeve të partisë, Qeveria ndonëse është teknike sillet sikur në Maqedoni gjithçka të jetë normale, Kuvendi është bllokuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe nuk gjendet zgjidhje zhbllokimi. Dhe, të kërkohet logjikë politike në këso shteti të palogjikshëm, më duket joserioze”, thotë për gazetën KOHA Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA. Ai thekson më tej se Lëvizja BESA angazhohet për zgjidhen sa më të shpejtë ët krizës politike. Siç po shkon procesi i zgjidhjes së krizës, Murtezani, thotë se në BESA nuk kanë shpresë se zgjedhjet lokale mund të mbahen shpejtë, respektivisht jo para vjeshtës. “Për shkak të krizës së thellë me të cilën po përballemi, aktualisht jemi të fokusuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës. Sa për BESËN, ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që të mbahen ato. Çështja e zgjedhjeve lokale po bisedohet në organet e partisë, por ende nuk kemi mbërritur në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve sepse, siç po zhvillohet procesi, nuk kemi shprese se zgjedhjet mund të mbahen së shpejti, sidomos jo para vjeshtës. Bllokimi i vazhdueshëm i Parlamentit e bën shumë të paqartë fatin e zgjedhjeve lokale”, thekson Murtezani. Në lidhje me atë se bllokada në Parlament rrezikon shtyrjen e zgjedhjeve e lokale, Murtezani thotë se “në Maqedoni si duket me e rëndësishme është bërë shpëtimi i disa politikanëve nga burgu sesa shpëtimi i të gjithë qytetarëve nga mjerimi”. Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për shqiptarët, shpreh qëndrimet e këtij subjekti se Qeveria aktuale nuk ka kredibilitet për të shpallur zgjedhje lokale dhe se një vendim tillë do të ishte në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. Për ASH-në Parlamenti mund të shpallë zgjedhjet pas konstituimit të institucioneve shtetërore. “Në princip ne si Aleancë për Shqiptarët jemi të respektohen afatet ligjore edhe për shpalljen e zgjedhjeve lokale, megjithatë shtrohet pyetja se kush do i organizojë ato, kur dihet se në Maqedoni nuk funksionojnë institucionet e shtetit dhe po bëhet paralelizëm i funksioneve të tyre. Pra, fillimisht lë të krijohet Qeveria e re e cila do te krijonte kushte dhe mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Parlamenti i RM-së është institucioni kompetent dhe legjitim për shpalljen e zgjedhjeve lokale, dhe si i tillë mund të shpallë zgjedhje pas konstituimit dhe funksionimit të institucioneve. Çdo institucion tjetër, qoftë edhe Qeveria aktuale , nuk ka kredibilitet politik për shpalljen e zgjedhjeve lokale dhe një vendim i tillë nuk do te ishte në përputhje me normat ligjore dhe Kushtetuese”, theksoi për gazetën KOHA Flakron Bexheti nga ASH.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara