Fatos RUSHITI
Shkup, 12 tetor – Partitë politike në ditët e fundit të fushatës parazgjedhore kanë ndezur motorët në terren, duke bërë luftë të drejtpërdrejtë për të siguruar votat për fitore në komunat ku kandidojnë, shkruan gazeta KOHA. Tek partitë shqiptare vërehet një ngritje e toneve kritike se kush më kë po bashkëpunon me partitë maqedonase, ndërsa disa parti kanë filluar të dalin me të dhëna konkrete për keqqeverisje nga pushtetarët e deritanishëm. Lufta deri të premten do të përqendrohet edhe tek të pavendosurit, numri i të cilëve mbetet i lartë duke kaluar 20 përqindëshin bazuar në anketa e fundit të “Brima Gallup” dhe “Dimitarija Çupovoski”. Ndërkaq për ti bindur të pavendosurit, ata nuk do ta kenë të lehtë ngaqë motivacioni për të votuar, siç flasin ekspertë, nuk është i lartë siç ishte në zgjedhjet parlamentare shkaku i zgjatjes së krizës politike dhe institucionale për dy vite me radhë. “Motivimi i qytetarëve për të votuar shihet hapur se do të jetë më i vogël se sa që ishte në zgjedhjet parlamentare”, thekson Marko Troshanosvki nga Instituti për Demokraci. Siç shton ai, njerëzit më nuk preokupohen të ndryshojnë pushtetin meqë, sipas Troshanosvkit, ai ndryshim veçmë ka ndodhur. Trashanovski mendon se paraqitja personale e kandidatëve për kryetar dhe atyre për këshilltar komunal do jetë vendimtare për të motivuar të pavendosurit që të votojnë. “Dallimi duket që është i vogël mes kandidatëve për kryetar dhe atyre për këshilltar komunal, por në fund do të jetë karakteristika e tyre personale dhe forma e paraqitjes që do të ndikojnë tek të pavendosurit”, tha Marko Trashanovski. Se individualiteti do të këtë ndikim tek të pavendosurit, thotë edhe eksperti Bekim Kadriu, duke shtuar se edhe Programi zgjedhor tek disa kandidatë do të jetë jo pa impakt tek të pavendosurit. “Zgjedhjet komunale dallojë nga zgjedhjet parlamentare, së pari se komunat janë më afër qytetarëve dhe kanë rëndësi shumë se kush është kandidat për kryetar e që do t’i përgjigjej atyre në aspekt te realizmit të nevojave dhe kërkesave personale. Individualiteti i kandidatëve mund të ketë pak rëndësi tek simpatizuesit e partive, tek të cilat sigla partiake qëndron në rend të parë kur duan të votojnë, por kur flasim për të pavendosurit – paraqitja individuale, por në masë edhe Programi që premtojnë të realizojnë, e kanë impaktin vendimtar për ti bindur ti votojnë”, thekson për KOHA Kadriu. Ai nuk pret që elektorati shqiptar të jetë i motivuar të dalë në përqindje të madhe në zgjedhje përveç në ato komuna ku deri më tani performansa, siç thotë Bekim Kadriu, ka qenë e nivelit më të ulët.
“Ne, zakonisht për nga dalja nuk e kalkulojmë 50 përqindëshin, ndërsa tek maqedonasit – përqindja është dukshëm më e lartë deri dhe 80. Realisht nuk pres që dhe në këto zgjidhje, te shqiptarët të dalin më shumë se 45 për qind apo dhe 50. Përqindje e lartë mund të ketë tek ato komuna shqiptare ku performansa e udhëheqësve të tanishëm ka qenë e ulët dhe qytetarët mund të ndëshkojnë partinë që ka qeverisur”, tha Kadriu. Edhe profesori universitar, Bashkim Selmani, mendon se përqindja e ulët do të jetë karakteristikë tek shqiptarët edhe në këto zgjedhje, ndërsa përmend disa shkaqe lidhur me ketë. “Edhe në këto zgjedhje nuk pritet që shqiptarët të dalin të votojnë në përqindje më të lartë, pasi kemi situatë të njëjtë të ndjeshme si në zgjedhjet e kaluara. Këtu duhet të marrim parasysh përçarjen e trungut votues shqiptar në tabore jashtë nacionale, një numër i konsiderueshëm jashtë vendit, një numër i të pashpresëve të cilët gjithmonë janë zhgënjyer nga politika aktuale dhe si bashkësi votuese, me këtë gjendje faktike – shqiptaret rrezikojnë të humbin një pjesë të komunave që historikisht u kanë takuar”, thekson për KOHA Selmani. Situata do të qartësohet, mendon ai, në rrethin e dytë zgjedhor edhe atë nga gjindshmëria e koalicioneve ndërpartiake. Ndërkaq për të pavendosurit, Selmani thotë se shumica prej tyre janë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale komunale dhe nuk kanë shpresë se do të bëjnë më mirë.
“Tek të pavendosurit ndikon zhgënjimi, humbja e shpresave, dhe zemërimi qe identifikohet edhe ne pjesëmarrjen e tubimeve partiake në numër të vogël si asnjëherë më parë. Por, ndryshe është tek maqedonasit, ku në tubime shohim me mijëra veta, kjo pasi partitë e tyre arrijnë ti motivojnë më shumë”, thotë Selmani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.