Diogjenin, filozofi i shquar grek që jetoi në shek. IV p.e.r., e kapën piratët dhe si të gjithë skllevërit e tjerë, e nxorën në treg për ta shitur.
– Çfarë di të bësh? – e pyetën.
– Të komandoj njerëzit, – u përgjigj filozofi. Pastaj iu drejtua atij që i binte trumpetës, duke e urdhëruar se në vend të formulës së zakonshme: “Kush do të blejë një skllav?”, të thoshte me zë të lartë: – Kush do të blejë pronarin e tij?”.
Diogjeni admironte shumë një harpist me duar tepër të shkathtë, por e urrente shumë për karakterin e tij të dobët. Kur e pyetën se pse ushqente gjithë atë admirim u përgjigj:
– Sepse, duke pasur në duar gjithë atë shkathtësi për të vepruar, është bërë harpist në vend të bëhej vjedhës.
E gjetën njëherë Diogjenin me duar të shtrira përpara një statuje, sikur i kërkonte lëmoshë. E pyetën përse e bënte atë veprim.
– I kërkoj lëmoshë një objekti që nuk mund të më flasë, kështu do të mësohem të mos fyhem kur të më refuzojnë ata që flasin.