Evis HALILI
Shkup, 10 shkurt – Emra poetësh, kompozitorësh, revolucionarësh, partizanësh…, e të tjerë vazhdojnë t’i mbajnë pjesa më madhe institucioneve nacionale të kulturës nëpër rrethe, por tek pjesa shqiptare, në qytete si Tetovë, Gostivar ku edhe drejtorët janë shqiptarë, emra të tillë nuk përdoren, shkruan gazeta KOHA. Emrat më të veçantë i kanë dy qendrat e kulturës në Tetovë, që quhet – Ilo Anteski Smok, apo edhe ajo e Gostivarit – ASNOM, emra që nuk e kanë as të përafërt qoftë lidhjen me kulturën, por edhe me vetë institucionin. Në fakt, as që përdoren në jetën e përditshme, përveçse në rastet kur në to organizohen aktivitete kulturore maqedonase. Zyrtarisht ato vazhdojnë të mbeten si të tilla, jo vetëm sepse drejtuesit kanë “harruar” që t’i ndërrojnë këto emërtesa, por edhe sepse ngurrojnë për t’i zëvendësuar ato me të reja.
Luan Zenku, drejtor në Qendrën e Kulturës së Gostivarit – ASNOM ose Kuvendi Antifashist i luftës çlirimtare popullore, i mbajtur në Prohor Pçinski, datë kjo e shënuar për historinë maqedonase, thotë se e kanë diskutuar heqjen e këtij emri, por jo edhe zëvendësimin.
“Nuk kemi bërë kërkesë deri tani, edhe pse është diskutuar heqja e këtij emri, ide kjo që na është refuzuar më parë, kur nuk kishim shumicën, që tani e kemi jemi mbi 70 për qind, situata është ndryshe. Për momentin jemi në një fazë tjetër atë të çështjeve administrative, të vulës së institucionit në gjuhën shqipe, por edhe të figurimit në të të gjuhës turke. Në fakt ne asnjëherë nuk e përdorim emrin ASNOM, por zyrtarisht dihet që duhet hequr. Problemi është se edhe me çfarë do ta zëvendësojmë, ose më mirë do të ishte që të quhej thjesht – Qendra e kulturës”, thotë për KOHA, Zenku.
Një situatë e ngjashme është edhe në Tetovë. Edhe pse drejtuesit nuk e përdorin zyrtarisht kjo qendër mban emrin Ilo Anteski – Smok, ish partizan, i lindur në Tetovë dhe i ekzekutuar në vitin 1943 në Tiranë. Zyrtarisht emri i tij qëndron në projektin që po realizon Qeveria për ndërtimin e Qendrës së re të kulturës, që pjesa shqiptare e quan thjesht – Teatri dhe Biblioteka e Tetovës. Drejtori i Qendrës Haki Fazlliu thotë se kanë ndërmend të nisin procedurat për ndryshimin e emrit, por nuk e kanë gjetur se me cilin emër do ta zëvendësojnë. Ndërsa kjo çështje është e zgjidhur në Dibër. Institucioni nacional i kulturës quhet thjesht – Qendra e Kulturës, Dibër. Por që në të ardhmen mund të mbajë një emër, atë të kompozitorit dibran Musa Piperku.
“Qendra u ndërtua pas tërmetit nga Qyteti i Shkupit dhe prandaj quhej Pallati i kulturës – Shkup. Por kur në vitin 2004 u shndërrua në institucion nacional u quajt thjesht – Qendra e Kulturës. Ka qenë kjo, mund të them politika e zgjuar e dibranëve që e kanë lënë kështu. Edhe pse ne kemi një ide që t’i vëmë një emër, atë të kompozitorit dibran – Musa Piperku. Por, kjo është vetëm një iniciativë”, thotë drejtori Artin Spahiu. Në përgjithësi Koço Racin është emri më i përhapur si për qendrat nacionale, ashtu edhe për institucionet e tjera lokale, kështu quhet edhe Biblioteka e Tetovës, ashtu si edhe ai i Vëllezërve Milladinovci, që quhet Qendra e Kulturës në Strugë, emër ky që as që diskutohet për t’u ndryshuar. Emra të qendrave në qytete të tjera janë Aco Shopov, Anton Popov, Grigor Përliçev, Trajko Prokopiev, Marko Cepenkov e të tjerë. Një pjesë tjetër e institucioneve quhen thjesht Qendër kulture dhe janë kryesisht ato institucione që në vitin 2004 kanë kaluar nga institucione lokale në nacionale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.