Kryetarja e Alternativës dhe kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari e ftuar në emisionin Pressing të televizionit T7 ka treguar se pse ajo e ka zgjedhur koalicionin me Vetëvendosjen e jo me LDK-në. Kusari gjithashtu ka dhënë edhe detaje rreth bisedave që i ka pasur më Ramush Haradinaj.
“Me Vetëvendosjen kemi filluar shumë më herët dhe ka ardhur natyrshëm” tha ajo, duke shtuar se LDK ka pasur prioritet “çështje të ndryshme, zgjedhja e kryetarit e kryetarëve nëpër degë, nuk e ka pasur trajtimin për një format të bisedimeve me LDK-në”, tha Kusari.
Ajo ka shtuar se ka qenë pro një bashkëpunimi të gjerë opozitar.
“Unë me Albinin kam pasur kontakt, e ai me kryetarin e LDK-së, për një bashkëpunim më të gjerë opozitar. Pasi që kjo, VV më ka kontaktuar dhe më kanë treguar që nuk ka koalicion zyrtar dhe më kanë kërkuar të jem pjesë e listës” shtoi ajo.
Kusari gjithashtu ka treguar se kreu i LDK-së i kishte ofruar asaj që të jetë pjesë e listës së tyre dhe Alternativa të shuhej si parti politike.
“Me LDK-në e kemi pasur një bisedë krejt ka fundi, oferta e kryetarit Mustafa ka qenë që ne me u shkri tërësisht në LDK dhe mos të ekzistojë më Alternativa. Me gjithë respektin, nuk mund të them diçka tjetër se jam me bindje liberal-demokrate”, tha Kusari.
Kusari tregoi se pasi që në fillim u paralajmërua se nuk ka koalicion me Vetëvendosjen, kishte marrë oferta të shumta nga partitë në pushtet madje më së shumti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kryeministri më ka thirr për takim dhe i kam thënë se ‘kam ardhur për respekt, kur ndalet beteja politike pimë kafe, por unë nuk mundem të jem Mimoza nëse jam pjesë e politikës suaj”, shtoi Kusari.
Mimoza Kusari ka qenë kryetare e Komunës së Gjakovës dhe deputete në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës.