Një tjetër video-skandal ka përshirë Kombëtaren Franceze të Futbollit. Këtë herë protagonist është Lajvin Kurzava, viktimë e një shantazhi, por që ndryshe nga rasti i Valbuenas përmbatja e videos të tij nuk është intime por prek direkt dhomën e zhveshjes së Bluve të Francës.
Në këtë video mbrojtësi i majtë i Paris Sen Zhermen, shfaqet duke kritikuar publikisht trajnerin Didier Deshamps teksa ndodhej në një bar me një mik të tij. Siç bëjnë të ditur mediat franceze një grup i organizuar prej 5 personash janë vënë nën pranga për shantazh ndaj 25 vjeçarit francez. Të arrestuarit i kanë kërkuar lojtarit një shifër prej 100.000 eurosh për të mos e bërë publike këtë video.
Kurzava ka lajmëruar menjëherë policinë dhe departamenti që merret me çështjet e luftës kundër krimit të organizuar ka zbuluar personat e përfshirë në këtë shantazh. 3 të pandehur janë kapur në flagrancë teksa i kishin zënë pritë Kurzavas në dalje të shtëpisë për të marrë shpërblesën e kërkuar. Dy të tjerë janë arrestuar më vonë të akuzuar si bashkëpunëtor. Tashmë çështja i ka kaluar gjykatës së Versajës.