Kurz: Evropa duhet të vendos se kush mund të emigrojë në Evropë

Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2017 dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz, i cili qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki, deklaroi se “bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Austrisë, veçanërisht ai politik dhe ekonomik, tregon se Austria mbështet fuqishëm Maqedoninë në rrugën e reformave dhe në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA). Kurz falënderoi Maqedoninë për të cilën tha se me punën e saj në kufirin jugor ka ruajtur kufijtë e Austrisë, por edhe të vendeve tjera evropiane.

“Mbyllja e rrugës ballkanike dhe marrëveshja me Turqinë dëshmuan se është i mundur menaxhimi i kësaj situate dhe është e mundur mbyllja e kufijve. Unë ju falënderoj, ne kemi bërë një punë të shkëlqyer në mbarë territorin e Shengen-it. Shpresoj se do të bëjmë edhe shumë hapa të mëtejshme. Ne si Evropë duhet të vendosim se kush mund të emigrojë në Evropë dhe kush nuk mundet. Nuk duhet që këtë vendim t’ua lëmë trafikantëvve me njerëz”, deklaroi Kurz. Ndërkaq, ministri Nikolla Poposki deklaroi se në pikën kufitare greko-maqedonase gjatë viteve të fundit janë parë momente shumë të vështira, megjithatë siç tha ai, u dëshmua se me bashkëpunim të mirë mes Maqedonisë dhe vendeve anëtare të BE-së, mund të ballafaqohemi me shumë sfida të pabesueshme.

“Kriza e emigrantëve tregoi edhe se Austria ishte bashkë me Maqedoninë në momentet më të vështira dhe për arsye të mira, jo vetëm për t’iu shmangur një krize humanitare në të cilën padyshim arritëm sukses, por arritëm të ruajmë edhe vlerën më të çmuar për Evropën dhe ajo është liria e lëvizjes së njerëzve”, deklaroi Poposki. Poposki shtoi se një nga prioritetet e kryesimit të Austrisë me OSBE-në janë migrimi, lufta kundër terrorizmit, radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fusha të cilat Austria dhe Maqedonia kanë interes të njëjtë.

Diplomati austriak dhe ai maqedonas folën edhe rreth gjendjes politike aktuale në Maqedoni, pas mosarritjes së marrëveshjes për formimin e qeverisë në mes subjekteve politike në vend. Kurz konsideron se kriza politike përfundoi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe në ato kohë situata ishte e vështirë, ndërsa tani sipas tij, mbetet vendimi i partive politike që të vazhdojnë reformat e mëtejshme për anëtarësim në BE. Në lidhje me plarformën e përbashkët të partive shqiptare, me anë të së cilës kërkohen disa të drejta të shqiptarëve në Maqedoni, Kurz u shpreh se nuk dëshiron ta komentojë, por theksoi se me rëndësi është se zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin të drejta dhe demokratike, si dhe u pranuan nga të gjithë pjesëmarrësit. Më herët, ministri Nikolla Poposki dhe Sebastian Kurz vizituan kufirin jugor greko-maqedonas, ku deri para një viti u zhvillua fluksi më i madh i refugjatëve nëpër të ashtuquajturën “Rrugën ballkanike”. Kurz nga homologu i tij maqedonas u njoftua mbi situatën aktuale dhe tentimet për kalim ilegal në kufirin greko-maqedonas.​