Prishtinë, 27 shkurt – Lideri i një ndër partive më të mëdha opozitare në Kosovës, Lëvizjes vetëvendosje (VV), Albin Kurti tashmë ditën e dytë ndodhet në repartin për kujdes intensiv pranë Qendrës klinike universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të problemeve me organet e frymëmarrjes, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, përcjellë gazeta KOHA.
Kurti për shkak të temperaturës së lartë dhe mundimeve dje paradite u hospitalizua në repartin infektiv në QKUK dhe diagnoza fillestare ishte se sipas të gjitha gjasave është infektuar nga gripi sezonal, por më vonë doli se ka probleme me frymëmarrjen, përkatësisht mushkëritë.
Informatën, në deklaratë për “Gazetën Ekspres” e dha drejtori i infektives, dr. Hamdi Ramadani, i cili thotë se gjendja e Kurtit po stabilizohet, por se do të duhet të qëndrojë në kujdes intensiv edhe së paku dy ditë.
“Ai u pranua në Klinikën infektive dje rreth orës 10:00 në gjendje të rëndë klinike. Në fillim dyshuam se është infektuar nga gripi epidemik sezonal dhe influenca”, deklaroi Ramadani.
Ai informoi se në momentin kur është pranuar në spital, Kurti ka pasur probleme, vështirësi në frymëmarrje për ç’shkak është vendosur në intensive, ku i është bërë intubacioni i oksigjenit.
“Për fat të mirë, prej sot në mesditë gjendja e tij po përmirësohet dhe ati tashmë nuk ka nevojë për aparate të frymëmarrjes. Sëmundja është në regresion dhe analizat po përmirësohen. Do të bëjmë edhe disa analiza”, deklaroi Ramadani, i cili është i angazhuar për trajtimin e liderit të VV-së.
Nga hospitalizimi i Kurtit, korridoret e repartit për kujdes intensiv dhe reanimacion pranë Klinikës infektive të QKUK-së tërë kohën janë plot me aktivistë të VV-së, të cilët i presin informatat për gjendjen shëndetësore të liderit të tyre partiak.
Kurtin mbrëmë në spital e vizitoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj, për t’i dëshiruar shërim të shpejtë.(koha.mk)