Prishtinë, 16 tetor – Lideri i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ish-kryeministri kosovar, Albin Kurti, u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë në SHBA, në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor të votojnë për kandidatin demokrat Xho Bajdën.
Në video-porosinë që sonte e publikoi në faqen e tij në Fejsbuk, Kurti tha se vota për Bajdënin, përkundër presidentit aktual amerikan, Donald Tramp, “është votë për përforcimin e vlerave të përbashkëta për drejtësi, liri, vetëvendosje dhe mundësi për të gjithë”.
“Që nga vitet e 90-ta, Xho Bajdën është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishtë ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Sipas liderit të opozitës kosovare, “shqiptarët kanë vetëm një mik të vërtetë dhe një aleat të dëshmuar, e ai është Bajdën dhe Partisë demokrate”.
Kurti ishte kryeministër i Kosovës prej 3 shkurtit deri më 3 qershor të këtij viti, ndërsa mes shkaqeve kryesore për të cilat u ndërrua nga ana e partnerëve të tij të deriatëhershëm të koalicionit cekej ajo që i ftohi marrëdhëniet e Kosovës me administratën e presidentit amerikan Tramp, posaçërisht me të dërguarin e posaçëm të tij për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenell.