Në Rubikon të KTV-së kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka aspirata për të qenë kryeministër i gjithë shqiptarëve.
Kurti ka thënë se i takon Qendrës Vetëvendosje në Tiranë të vendosë që a do të garojë në të ardhmen në zgjedhjet në Shqipëri apo jo.
“Ata janë qendër e Vetëvendosjes në Shqipëri, por kanë autonomi qëndrimesh dhe veprimesh. Një ditë duhet të mblidhen dhe të diskutojnë këtë gjë (pjesëmarrjen në zgjedhje në Shqipëri). Këtë gjë as nuk e përjashtoj as nuk e inkurajoj”, u shpreh Kurti.
Derisa ku u pyet se a mund të jetë kryeministër i Shqipërisë dhe i Kosovës e ndoshta edhe më gjerë, Kurti deklaroi se, “tash kur po dua t’i zvogëloj nga 21 ministri në 15 besomëni se nuk mund të mendoj as për së afërmi për gjëra të tilla. Jo, nuk kam aspirata të tilla”.
Tutje ai ka folur për shërbimin ushtarak, që thotë se do të ndodhë gjatë mandatit të tij.
“Do të bëjmë një studim që të kemi një shërbim ushtarak në tre muaj gjatë këtij mandati. A do të jetë dy muaj verës a një dimrit, këto duhet ta diskutojmë më Ministrinë e Mbrojtjes, Anton Quni. Është plotësisht e përballueshme nga ana buxhetore. Kemi paraparë rritje nga 60 në 100 milionë euro, që është një rritje substanciale. Kosova ka shumë ligje të mira, mirëpo institucionet i ka të dobëta, pra zbatimi i mungon. Ligjet duhet të zbatohen por si kryeministër do të jem në ballë të detyrës sa i përket vetingut”, u shpreh Kurti.
Ai thotë se nuk e ka kontaktuar prokurorin Elez Blakaj, por thekson se ai duhet të kthehet për të luftuar korrupsionin.
“Nuk e kam kontaktuar personalisht Elez Blakaj dhe mendoj se ai duhet të kthehet nëse tashmë nuk është kthyer. I bëj thirrje që sa më parë të kthehet dhe bashkë të luftojmë korrupsionin sipas kompetencave që kemi”, ka thënë Kurti.
Kurti tutje ka thënë se duhet të organizohen dy Konferenca sa u përket investimeve nga diaspora.
“Për neve është e rëndësishme t’i përgatisim dy konferenca. Një Konferencë të Investitorëve dhe një të Donatorëve. Besoj se ata do të duhej ta mbështesin këtë qeveri sepse ka ndodhur diçka e madhe, konkretisht ka fituar opozita. Dhe kjo tregon se kemi potencial demokratik”, ka thënë Kurti.
Tutje kryeministri i Kosovës ka thënë se do të takojë edhe krerët e opozitës.
“Kam folur me ish-kryeministrin Haradinaj, dhe më uroi. Do ta takoj edhe atë, kurse sot kisha në takim me Isa Mustafën, e do ta ftoj edhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin, përpos nëse ai nuk do”, është shprehur ai.
Kurti është shprehur se Vetëvendosje ka ndryshuar në vazhdimësi, por rrënjët dhe thelbi i saj kanë mbetur i njëjtë.
“Asnjëherë nuk kam deklaruar se nuk ka evoluar Lëvizja Vetëvendosje, ajo çfarë mund të them është se rrënjët prej nga vjen, konceptin që e ka është po ajo”, ka thënë ai.