Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte në vizitë në Komunën e Prishtinës, ku mbajti një takim me kryetarin e kësaj komune Shpend Ahmetin. Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtori komunal i Inspekcionit Adonis Tahiri, raporton “Zeri.info”.
Kurti pas këtij takimi tha se u diskutua menaxhimi i situatës së pandemisë COVID-19 në këtë kryeqytet.
“Diskutuam se si mund t’ia dalim me sa më pak pasoja, sa më pak humbje në këtë moment kaq të rëndësishëm. Edhe pak do ta paraqesim pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Është e domosdoshme që ta shtojmë vigjilencën, ta mbajmë distancën, ta ruajmë higjienën, të gjitha këto vendime e udhëzime të IKSHKP-së”, tha Kurti.
Ndërsa për protestën, e cila do të organizohet sot në sheshin “Skënderbeu”, Kurti tha se aktivistët janë ata që e kanë organizuar.
“LVV-ja e ka organizatën e aktiviteteve, ata punojnë, por ne si Kryeministri nuk marrim pjesë në këtë aktivitet, janë ata që organizohen, nuk kam kohë që të kryej punën e aktivistëve në këtë kohë”, u përgjigj ai.
Ndërsa kryetari i kësaj Komune, Shpend Ahmeti, për protestën e sotme tha se nuk e kanë diskutuar gjatë takimit.
“Sot jemi takuar për të diskutuar për COVID-19. Albini ishte në takim si kryeministër, jo si kryetar i Lëvizjes”, ka bërë të ditur Ahmeti pas takimit.