Kurti si fenomen ballkanik

Tek ndiqja nga me vëmendje fushatën e Kurtit, tek shikoja sheshin kryesor të Prishtinës mbushur plot, shumë lehtë përfytyroja të gjithë popujt e Ballkanit të mbledhur bashkë për të zhdukur korrupsionin dhe kapësit e shtetit! Dashuria për familjet tona, e drejta jonë për të jetuar, janë njësoj të barabarta, si për shqiptarët, maqedonasit, serbët, grekët…gjithë Ballkanin!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Tashmë është lajm i ditës dhe nuk po zëvendësohet nga lajme të tjerë, fitorja e Vetëvendosjes në Kosovë duke triumfuar në zgjedhjet e parakohshme vendore të 6 tetorit. Pa me asnjë të voglin dyshim popullit të Kosovës dhe Rajonit i është dhënë pas shumë vitesh agonie dhe tranzicioni politiko-social, një figurë si Albin Kurti! Ky burrë i cili nga pamja dhe shtati të zgjon përshtypjen e një intelektuali që orët më të gjata i kalon mbi libra, në fakt prej shumë vitesh dëshmoi që përveçse erudicionit të tij mbresëlënës (atipik për politikanin ballkanas) kishte brenda vetes një revolucionar permanent me një kauzë të cilën kurrë nuk e tradhtoi, nuk e moderoi, nuk e pazaroi!

Ithtar i lirisë dhe të drejtës, i motivuar nga një e kaluar tragjike e vendit të tij, në ADN-në e Kurtit ishte shkruar gjithë përpjekja shumëshekullore e shqiptarëve për të qenë të lirë dhe me e gëzu shtetin e tyre. Ajo që do të hidhëronte pamasë Kurtin do ishte nëpërkëmbja e pushtetarëve vendorë që i bën shtetit të cilin e fituan me jetë fëmijësh e me përdhunime grash, e fituan me një nga luftërat më të egra zhvilluar në Ballkanin e Evropës që promovonte paqe por nuk po dukej e aftë të parandalonte disa burra mendjembrapshtë që mendonin se kishin trashëguar tapinë e jetës të një populli!

Kur paqja erdhi pas dhimbjesh e morti, edhe pse ende të freskët funeralet, populli fisnik i shqiptarëve ishte i dëshiruar për paqe dhe shtet të begatë! Të gjithë mundësitë i kishte Kosova me pasuritë dhe popullin e saj punëtor, por si për bela e jo befasisht ata që u besuan për t’a drejtuar shtetin, tradhtuan! E panë shtetin njësoj si tokën falur që mund t’a përdornin si kambial për t’u pasuruar! Tradhtia si fenomen nuk të vjen kurrë nga armiku! Ajo kuptohet si e tillë sepse ndodh vetëm në rrethanat e zhgënjimit, prerjes në besë, mashtrimit, pikërisht nga ata njerëz që ju ke besuar, i ke shpallur miq me nder dhe besë!

Por këto koncepte të shëndetshme aq shumë u përdhosën nga politikanët jo vetëm në Kosovë po thuajse kudo në Rajon saqë tashmë populli uronte që në pushtet të vinte “Politikani që vjedh më pak”! Ky fat i tmerrshëm politik i bashkon disa popuj të Ballkanit, të cilët për hir të jetës e dashurisë për të, duhet të kuptojnë që kanë më shumë ngjashmëri se sa ndasi duke mos harruar që Liria Jote Mbaron Aty Ku Fillon Liria e tjetrit! Duke u kthyer tek Kurti që sapo pa shenjat e para të keqpërdorimit të pushtetit nga ata që e mbanin, reagoi, gjithë populli i zhgënjyer nisi të çohej nga strofulla e apatisë që të shkakton tradhtia, dhe i besuan këtij burri i cili tashmë ka provën e tij!

Ishte persistenca e tij që i dhà besimin e popullit dhe po e njëjta që frymëzoi si rrallë ndonjëherë të madh e të vogël!

Pa dashur të bie në identifikimin e një partie me një njeri por për hir të së vërtetës, le t’i japim Cezarit çfarë është e Cezarit, Albin Kurti është truri dhe fryma, është ideali i këtij njeriu i cili bashkoi qindra e mijëra njerëz të tjerë rreth një Lëvizje si është ajo e Vetëvendosjes. Me një qëndrim radikal kundrejt të gjithë atyre që përfitonin nga pushteti dhe e kanë vendin në burg, ky njeri fitoi sepse ishte zëri besnik i popullit dhe të drejtave të tij! Albin Kurti sot në Kosovë ka sjellë në pushtet çdo shtetas të saj, jo vetëm ata që e kanë votuar, por të gjithë, fenomen ky gati i panjohur për shtetet ballkanike që kanë qenë peng i një politike shantazhuese dhe hakmarrëse. Tek ne është tashmë proverbial fakti që nëse nuk fiton partia që votove mbetesh pa punë, trajtohesh si refugjat pa të drejta në vendin tënd, prandaj dhe Maqedonia e Veriut duket si një atdhe refugjatësh, shumica e atyre që jetojnë këtu kanë vetëm dyer që shteti nuk i hap ose na i mbyll fort në fytyrë!

Duke cekur e luftuar për gjëra konkrete, të cilat nuk duken në fjalimet rozë të pushtetarëve, duke treguar programe konkrete të përgatitur nga specialistë, duke besuar në patriotizëm, traditë, komb dhe gjuhë, duke qenë një humanist e dashamirës i harmonisë së popujve, po duket se Kurti përfaqëson politikanin që Ballkani ka nevojë! Pa shumë filozofi e metafora pseudo-diplomatike, duke folur qartë për problemet e mëdha që i janë ulur njerëzve këmbëkryq nëpër shtëpitë e tyre, Albin Kurti bën ndryshimin e madh, ai vë politikën në shërbim të popullit dhe jo popullin në shërbim të politikës!

Fryma e Vetëvendosjes është tashmë një shtjellë që ka përfshirë Ballkanin! Pa bërë as edhe një ditë pushtet, Vetëvendosja e Kurti kanë bërë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën politike dhe partiake të Ballkanit! Ata përfaqësuan në këto zgjedhje atë lloj partie që është aq e ndershme sa në rastin më të mirë mbetet në krye të opozitës pa ardhur kurrë në pushtet derisa thërrmohet.

Pra Kosova, Vetëvendosja dhe Albin Kurti dhanë shembullin e ngadhënjimit të parë të së Drejtës mbi Krimin! Përmasat e kësaj fitoreje janë shumë më të mëdha se sa gjeografia e shtetit të Kosovës, ato rrokin gjithë Ballkanin! Nëse Zaevi, Rama do të duan bashkëpunim me popullin duhet të studiojnë me shumë vëmendje Albin Kurtin, duke marrë shembullin e një burri që pas shumë përpjekjesh solli Popullin në Pushtet! Kryeministrat ballkanikë, përfshi çdonjërin prej tyre, edhe Vuçiçin padyshim, kanë tashmë një koleg që tregoi se me ndershmëri, sakrificë e drejtësi mund të vish në krye për punuar për popullin të cilit të gjithë i kemi shumë borxh!

Tek ndiqja nga me vëmendje fushatën e Kurtit, tek shikoja sheshin kryesor të Prishtinës mbushur plot, shumë lehtë përfytyroja të gjithë popujt e Ballkanit të mbledhur bashkë për të zhdukur korrupsionin dhe kapësit e shtetit! Dashuria për familjet tona, e drejta jonë për të jetuar, janë njësoj të barabarta, si për shqiptarët, maqedonasit, serbët, grekët…gjithë Ballkanin! Populli i Kosovës anembanë botës e kuptoi, u bashkua, dhe Vetëvendosi, kaq e thjeshtë!

Ky popull i jashtëzakonshëm i ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme gjithë popujve të Ballkanit dhe botës, duke dëshmuar se nëse bëhemi bashkë, pa frikë e dyshime, mund të largojmë çdokënd që luan me jetët tona! Duke i uruar Qeverisë Kurti punë të mbarë e përgjegjësi ndaj synimeve, e falënderoj Kosovën dhe bijtë e saj që Sollën Ditën e cila pret të zbardhë në Maqedoni! Së shpejti do të jetë edhe tek ne e Diel, së shpejti do të dalë Dielli dhe do të ngroh njësoj për të gjithë njerëzit e Maqedonisë!

Sepse Vox Populi Vox Dei!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)