Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Serbia nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën dhe se arsyeja për këtë është që presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i pengon progresi që e shënon shteti kosovar, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Duke e komentuar përpjekjen e djeshme të pasuksesshme në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak për t’u arritur marrëveshje midis dy shteteve për përdorimin e targave automobilistike të regjistrimit nga njëri në shtetin tjetër, Kurti kërkoi nga Lajçaki publikisht të tregojë se “cila prej palëve nuk ka qenë konstruktive”.
“Unë nuk kam dilema. E di se kryenegociatori ynë (zëvendëskryeministri, Besnik) Bislimi ka qenë konstruktiv dhe kreativ, por është e qartë se Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje. Ne aspak nuk dëshirojmë ta lëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit të japë shpjegim se pse konkretisht nuk është arritur marrëveshje, e cila ka qenë shumë pranë dhe për të cilën edhe Lajçaku është angazhuar shumë”, deklaroi Kurti për servisin publik, RTK.
Shefi i Qeverisë së Kosovës thotë se Beogradi kohëve të fundit “është duke e përforcuar agresivitetin ndaj Kosovës”, pasi presidentit serb Vuçiq i pengojnë “sukseset e Kosovës… në të gjitha fushat”.
“Presidenti serb e përforcon agresivitetin ndaj Kosovës dhe jam i bindur se kjo është për shkak të sukseseve të Kosovës. Ne kemi progres në të gjitha fushat dhe kjo i pengon atij”, tha Kurti.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar që t’u thonë autoriteteve serbe se “më nuk mund të vazhdojnë kësisoj”.
“Ne jemi duke e bërë punën tonë, por duhet edhe zyrat perëndimore t’i thonë Beogradit se nuk mund të vazhdojnë kështu”, tha Kurti.