Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rrugëdaljen nga tensionet në veri e sheh në një “rrugë të drejtë me dy shirita”. Sipas tij, fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.
“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy traka. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Kurti në Forumin e Bratislavës.
Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se misioni i NATO-s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës. Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, Kurti ka thënë se ka koordinim e komunikim me NATO-n, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se pajtohen me çdo gjë.
“Siç e dini, ne e kemi NATO-n në Kosovë që nga gjenocidi dhe e konsiderojmë të pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen. Jemi në kontakt të rregullt me NATO-n. Ka koordinim e komunikim, por jo që pajtohemi gjithmonë në çdo gjë. Sikur në këtë rast. Ndërtesat u takojnë Republikës. E kuptoj se s’duhet të ketë shumë policë brenda, por s’duhet të ketë paraprakisht dhunë jashtë. Patë njerëzit duke sulmuar KFOR-in e policët tanë. 30 të lënduar, ka dhjetëra përgjegjës, por s’janë në burg. Ata duhet të burgosen”, ka thënë Kurti.