Kurti për Washington Post: Mbrojtja e Kosovës nga Rusia është e rëndësishme për vetë Amerikën

Në një intervistë të Albin Kurti, për gazetarin e Washington Post, Jason Rezaian, dhënë sa ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e publikuar vetëm tash rishtazi, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se aleanca SHBA-Kosovë duhet të forcohet patjetër dhe kjo, jo vetëm për nevojën e Kosovës.

Siç e ka artikuluar Kurti në bisedë me Rezaian, qëllimi i Rusisë në destabilizimin e Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me sulm direkt ndaj shtetit të ri, por edhe me shpërfaqjen e një dështimi të intervenimit të NATO-s dhe investimit amerikan.

“Putini dëshiron ta kthejë Kosovën në një vend të dështuar. Pasi Putin konsideron se intervenimet në Afganistan dhe Irak kanë dështuar, vetëm Kosova ka mbetur si rast suksesi. Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën si një sukses të përkohshëm. Prandaj, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme”, deklaron Kurti për Washtington Post, përcjell Albanian Post.

Advertisements

Në zgjerim të tezës së tij për qëllimet finale të Rusisë, Kurti i shpjegon Rezaian-it se “janë dy pole në botë: ShBA-të dhe Rusia”.

Prandaj, “sulmi i Putinit në Ukrainë është tentim për t’u ulur me Biden për një lloj konference Jalta 2. Këtë përshtypje kam. Le ta ndajmë botën, sepse po nuk e bëmë do vazhdojmë të luftojmë. Kështu e do ai, besoj unë”.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për dialogun me Serbinë në kontekstin e çështjeve të sigurisë.

“S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh mua. Prandaj është e nevojshme një njohje e dyanshme, dhe ne jemi gati të përfshihemi në këtë lloj dialogu”.

Kurti ka ndarë me Rezaian, që dikur ishte edhe korrespodent i The Post në Tehran, edhe një episod me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë negocimit në procesin dialogues në Bruksel.

“Vuçiç më tha, ‘ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet. Unë i thash pastaj ‘atëherë le ta shohim se si i trajton minoritetet Serbia dhe e replikojmë modelin ne Kosovë’. Pastaj u bë nervoz shumë, pasi i thash unë ‘le ta bëjmë këtë reciprocitet”.

Sa i përket Rusisë dhe faktit që ajo përbën një kërcënim për Kosovën, këtë ia ka thënë Rezaian-it edhe Reuf Bajroviç, nga Instituti kërkimor për Politika të Jashtme dhe ish ministër i energjisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Absolutisht që Rusia është kërcënim. Bën gjithçka që mundet për ta dëmtuar Kosovën”, thotë ai.

“Rusia është stopuar pak për shkak të përpjekjeve heroike të Ukrainës për ta mbrojtur veten… Derisa Ukraina duron, s’do kemi nevojë të shqetësohemi në të ardhmen e afërt, por kërcënimi mbetet”, deklaron ai.

Jason Rezaian shkruan se sidomos pas fillimit të luftës nga Rusia në Ukrainë, të gjitha vendet evropiane i kanë rikonsideruar aleancat e tyre strategjike dhe raportet ushtarake me shtetet tjera. Për Kosovën, thotë ai, agresioni i Putin-it forcon bindjen se duhet një forcim i raporteve me SHBA-të dhe aleatët perëndimorë.

Si do të dukej ky forcim i aleancave në hapa konkret?

“Një prezencë e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë. Anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtim i njohjeve të pavarësisë që nënkupton edhe shtim të legjitimitetit të Kosovës si shtet”, përfundon Rezaian. /Albanianpost