Prishtinë, 23 dhjetor – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministër i ri i Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 6 tetor, lidhur me iniciativën rajonale për të ashtuquajturin “mini-Shengen”, porositi se rajonit i duhet “bashkëpunim, e jo konfrontim”, transmeton gazeta KOHA.
Duke u përgjigjur në kritikat e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama për mos pjesëmarrjen e krerëve të Kosovës në tubimin në Tiranë, Kurti në Tuiterin e tij ka shënuar se “askush nuk guxon të qëndrojë” mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet t’i udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi deri në Tiranë çon përmes Prishtinës. Ne (Kosova dhe Shqipëria) jemi dhe çdoherë do të jemi një popull dhe askush nuk guxon të qëndrojë mes nesh. Na duhet më shumë bashkëpunim, e jo konfrontim”, ka shënuar Kurti.
Të premten dhe të shtunën në Tiranë është mbajtur takimi i tretë me radhë, pas atyre në Novi Sad dhe Ohër, në kuadër të iniciativës për formimin e “mini-Shengenit”, gjegjësisht zonë për rrjedhë të lirë të mallrave, kapitalit dhe njerëzve. Përveç kryeministrave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët e kanë ngritur iniciativën, në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Krerët kosovarë e kanë refuzuar ftesën për të marrë pjesë në tubim, duke porositur se nuk do të jenë pjesë e iniciativave rajonale së bashku me Serbinë, derisa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe krerët serbë nuk ndalojnë së mohuari gjenocidin dhe krimet që ai shtet i ka kryer në luftimet e fundit e fundit në rajon.(koha.mk)