Kurti pas situatës nga vërshimet: Shiu ka nxjerrë në pah dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare

12

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se situata në Kosovë është alarmante pas vërshimeve që erdhën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut e borës.

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se shiu pos tjerash ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare.

Ai ka thënë se do të insistojnë që prokuroria menjëherë të hapë hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që e kanë marrë vendimin për tenderët dhe për konkurset.

“Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla. Populli i Kosovës, këtë organizim funksional dhe këtë përkujdesje e mbrojtje, me të drejtë e kërkon dhe e pret nga shteti i vet. Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese. Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Të varfëruar prej shekullit të pushtimit, të plaçkitur prej politikave neoliberale të pasluftës, të dobësuar prej krizës ekonomike e prej izolimit, e në vitin e fundit të rënduar edhe prej pandemisë, tash edhe shirat e vërshimet, shtoju këtyre edhe korrupsionin, kjo është një barrë shumë e madhe për bashkëqytetarët tanë. Megjithatë, jemi optimistë sepse keqqeverisjen e krimin do t’i largojmë prej pushteti, e dalëngadalë do të punojmë së bashku me të gjithë ata që e duan punën e ndershme, që e respektojnë ligjin, që të forcohemi si vend. Puna dhe organizimi do t’i kthejnë gjërat kah e mbara”.