Prishtinë, 13 shtator – Lideri i Lëvizjes opozitare (VV) Albin Kurti konsideron se, pas kundërshtimeve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për planet e presidentit kosovar Hashim Thaçi për ndarje të Kosovës dhe për fjalimin nacionalist të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Mitrovicën Veriore, Thaçit i nevojiten incidente të terren, tensione të reja dhe destabilizim të situatës.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, paralajmërimet e tilla Kurti i nxori në takimin me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Kristian Held, me të cilin ka biseduar për gjendjen aktuale politike në vend, me theks të negociatave për arritje të zgjidhjes finale për kontestet mes Kosovës dhe Serbisë.
Qëndrimet e Thaçit për “korrigjim të kufijve” që nënkupton këmbim të territoreve me Serbinë, Kurti i vlerësoi si jashtëzakonisht të rrezikshme për stabilitetin e vendit.
Kurti i shprehu falënderim ambasadorit Held për qëndrimin parimor dhe të fuqishëm të kancelares gjermane Angela Merkel në mbrojtjen e integritetit dhe shtetësisë së Kosovës.
“Reciprociteti i tërësishëm mes Kosovës dhe Serbisë është rruga për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe parimi rreth të cilit duhet të bashkohen forcat politike të Kosovës”, deklaroi Kurti, duke përkujtuar se Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2011 solli rezolutë për reciprocitet me Serbinë, por ish koalicioni qeveritar, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Hashim Thaçit, gjashtë javë më vonë e shkatërroi.