Prishtinë, 20 janar – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti është njëri nga 47-të nga gjithsej 1.080 kandidatë të regjistruar që nuk do të kenë mundësi të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës, më 14 shkurt, njoftuan mediat prishtinase, duke cituar burime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, pa publikuar emra, tha në konferencë për shtyp këtë pasdite se 47 kandidatë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, sepse ata ishin dënuar për vepër penale në tre vitet e kaluara.
Elezi informoi se kandidatët e kontestueshëm janë në listat e 15-të nga gjithsej 28 subjekte që kanë aplikuar për çertifikim dhe janë identifikuar në bashkëpunim me autoritetet kompetente gjyqësore. Këto propozime për refuzim ose pranim do t’i paraqiten KQZ-së, e cila do të marrë vendimin përfundimtar.
“Pas marrjes së përgjigjeve, Zyra për regjistrimin e partive politike dhe çertifikimin do të përgatisë një rekomandim për pranimin ose refuzimin e çertifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten në një seancë të KQZ-së”, deklaroi Elezi.
Ai theksoi se Komisioni nuk mund të publikojë emrat e kandidatëve që nuk kanë të drejtë ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, por se deri më 22 janar ai do të marrë një vendim dhe do të informojë palët e interesuara, me kërkesë për të korrigjuar listat.
“Nëse ndonjë subjekt politik ose kandidat nuk është i çertifikuar, ai/ajo ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Lënda mund të shkojë në Gjykatën e Lartë nëse pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP. Kjo periudhë e ankesave dhe vendimmarrjes është planifikuar të përfundojë më 31 janar. Pas kësaj, më 1 shkurt vijon shorti për rendin e subjekteve politike në fletvotimet për këto zgjedhje”, informon Elezi.
Më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pranoi kërkesën e partisë së Kurtit, VV-së, për të shpallur të pavlefshme njërën nga votat e deputetëve për zgjedhjen e qeverisë së Avdullah Hotit dhe vendosi që të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në shpjegimin e vendimit e kontestoi të drejtën e votës së deputetit nga partitë e komuniteteve etnike jo-shumicë, Etem Aziri, sepse ai ishte dënuar ligjërisht për shkak të veprës penale.
Në të njëjtin verdikt kushtetues theksohet se një person, i cili u dënua me më shumë se një vit burg me dënim të plotfuqishëm prej më shumë se një viti tre vjet para zgjedhjeve, nuk ka të drejtë të kandidohet për deputet.
Sipas disa mediave dhe ekspertëve ligjorë të Kosovës, përveç kolapsit të qeverisë së Hotit, vendimi është në dëm të vetë VV-së, pasi ndalon liderin Kurti dhe disa anëtarë të shquar të asaj partie të kandidohen për parlament në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen në dy muajt e ardhshëm.
Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë u dënuan me dënim me kusht për më shumë se një vit burg, i cili më vonë u bë i plotfuqishëm në shtator të vitit 2018 me vendim të Gjykatës së Apelit. Lideri dhe tre anëtarë të atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje u dënuan për “përdorimin e armëve ose mjeteve të rrezikshme” (pasi hodhën gaz lotsjellës gjatë seancave parlamentare) dhe “pengimit të zyrtarit në kryerjen e detyrave të tij” gjatë demonstratave në kryeqytetin e Kosovës.