Prishtinë, 29 janar – Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Besnik Bislimi, kanë takuar sot, numrin një të SHBA-së në Kosovë, ambasadorin Filip Kosnet.
Takimi u mbajt në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku ishte e pranishme edhe zyrtarja politike, diplomatja Ema Lomaks.
Sipas njoftimit për media të LVV-së, “takimi kaloi në një frymë shumë konstruktive dhe u diskutua për çështje që aktualisht dominojnë interesat nacionale të vendit”.
Gjithnjë sipas Vetëvendosjes, “ambasadori foli për rëndësinë që ka Kosova në politikën e jashtme të SHBA-së dhe për nevojën që pala kosovare paralelisht të kultivojë raporte shumë të mira edhe me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilën përbën aspiratën kryesore të Kosovës”.
“Po ashtu u shkëmbyen edhe qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për dëmet që po i shkaktohen vendit nga nepotizmi dhe korrupsioni në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e VV-së, përcjell Koha.net.
Aty thuhet se kryetari Kurti e njoftoi më gjerësisht ambasadorin Kosnet për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me dialogun; fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialog; për arsyet se pse qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore; por edhe për vizionin e Vetëvendosjes rreth vendosjes së sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit, prioritizimin e gjenerimit të punësimit si synim kyç makroekonomik si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor si burim me rëndësi për mbështetjen e rritjes ekonomike të Kosovës.
“Në veçanti u potencua roli i diasporës sonë e cila me kapitalin human dhe financiar të akumular në Evropë dhe Amerikë mund të shndërrohet në një katalizator të fuqishëm të zhvillimit ekonomik në vend”, thuhet në njoftim. (koha.mk)