Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka quajtur absurde pohimet e Qeverisë së Kosovës se ministri i Bujqësisë, që vjen nga Lista Serbe, Nenad Rikallo, i akuzuar nga qytetarët shqiptarë për tortura dhe maltretime gjatë luftës, nuk ka qenë i përfshirë në ato veprime siç kanë dëshmuar banorët e Lagjes “Dardania” të Prishtinës. Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, thotë se deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj për ministrin e tij Rikallo është paragjykuese dhe e papërshtatshme, pasi që është e parakohshme. Deputeti i VV-së kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Nenad Rikallo dhe thotë se Prokuroria e Kosovës do të duhej të vepronte menjëherë pas akuzave të banorëve të lagjes “Dardania”. Ai po ashtu konsideron se përmendja e emrit të tij, të Shpend Ahmetit e të Ilir Dedës në një deklaratë për media të Nenad Rikallos është bërë me qëllim të goditjes së opozitës. “Në javën që shkoi, Ministri i Bujqësisë, z. Nenad Rikallo, është akuzuar me dëshmi publike nga disa banorë të lagjes “Dardania” të Prishtinës se ka ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë. Posaçërisht është absurde se si kryeministri Haradinaj ka deklaruar se e kanë siguruar Prokuroria e Shtetit, AKI-ja dhe Policia e Kosovës se ministri Rikallo nuk ka qenë i përfshirë në ato veprime siç kanë dëshmuar banorët e Lagjes “Dardania”. Prokuroria e Kosovës do të duhej të vepronte menjëherë, ndërkaq vetëm eventualisht në një proces të ardhshëm gjyqësor mbrojtja e Rikallos do të mund t’i angazhonte si dëshmitarë të mbrojtjes këta zyrtarë shtetërorë të cilët praktikisht po thonë se banorët e Dardanisë po gënjejnë. Deklarata dalzotëse e z.Haradinaj për ministrin e tij Rikallo është: 1) paragjykuese sepse para një gjykimi veçse potencial; dhe 2) e papërshtatshme sepse e parakohshme”, shkruan Kurti.