Kurti kandidat i VV-së për kryeministër, Osmani për presidente

39

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se ai do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani do të synojë postin e presidentes.

“Sot kur na ndajnë një muaj nga zgjedhjet jemi të gëzuar që të ju njoftojmë që do të garojmë bashkë në një listë. Osmani dhe mua do të na gjeni në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e synimeve për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion. Për një shoqëri me shëndet e arsim. Në fushatën zgjedhore do të jemi bashkë. Të shtunën e 6 janarit e dorëzojmë listën e kandidatëve”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me Osmanin.

Ka shtuar se viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër dhe presidente të re, duke iu drejtuar Osmanit.

Kurti ka thënë se ai do të jetë kandidat për kryeministër dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, do të riligjitimohet në këtë pozitë.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë zgjedhje me 14 shkurt, por referendum.

“Pengesa të ndryshme me siguri që dalin rrugës por ato nuk na ndalin asnjëherë, qofshin të aspektit të interpretimit të juridik apo ato politike. Nuk ka pengesa që na ndalin më. Është e vërtetë që në Kosovë ka garë të ashpër mes partive të vjetra. Kjo garë është për vendin e dytë në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka thënë ai.

U.d. e presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja që është arritur sot e përfaqëson vullnetin e qytetarëve. Ajo ka deklaruar se bashkimi i tyre shkon përtej një liste dhe ka për qëllim të ardhmen e populli. Osmani ka thënë se kjo listë do të frymojë ndryshe.

“Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër krimit të organizuar e korrupsionit. jemi të vendosur për të mbrojtur kushtetutën e vendit. Jemi të vendosur për një Kosovë që secili mund të sigurojë një jetë të dinjitetshme. Kosova ka nevojë për një kryeministër që nuk do t’i mbyllë sytë përballë padrejtësive”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se do të punojnë bashkë në frymën e Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit.

“Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.