Prishtinë, 3 mars – Lideri i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt ka dërguar letër deri te kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ku i është falënderuar për urimet për fitoren zgjedhore, por nuk e ka përmendur çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Siç ka njoftuar korrespondenti i MIA-s në Prishtinë në letrën deri te Netanjahu, Kurti ka thënë se do ta vizitojë Izraelin “në kohë të përshtatshme për të dy palët”, thekson se shikon në vënien e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve si dhe mundësinë e forcimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor.
“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti në letrën e tij për Netanjahun.
Në anën tjetër, në letrën drejtuar Erdoganit, Kurti ka falënderuar atë për rolin që Turqia ka pasur në kohët vendimtare për shtetin e Kosovës.
“Kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”, ka shkruar Kurti.
Kurti javën e kaluar është gjetur mes “dy zjarreve” pasi nga njëra anë Netanjahu e ka ftuar në hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, derisa Erdogani i ka kërkuar ta injorojë marrëveshjen e 4 shtatorit në SHBA me të cilën Kosova u obligua ta hapë ambasadën e saj në atë qytet, në vend se në Tel Aviv.