Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Glauk Konjufca, kanë dorëzuar në Prokurorinë themelore padi ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, raporton KP.
Sipas Kurtit në seancën e cila është mbajtur me 28 dhjetor, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për të, Glauk Konjufcën dhe Sadri Ramabajën.
“Dorëzimin e kallëzimit penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme kundër ‘Syrit të Popullit’ me rastin e sulmit që kanë bërë ata kundër meje dhe Glaukut . Këta aty kanë bërë deklarata të rrejshme, kanë shpifur. Ka ta bëjë me tendencë politike të qartë, që ta luftojnë Lëvizjen, kjo ka të bëjë me eliminim politik të Vetëvendosjes”, tha Kurti.
E shefi i GP të VV-së Glauk Konjufca, tha se Thaçi e Veseli kanë zgjedhur që përmes drejtësisë ta godasin kundërshtarin politik.
“Sipas presidentit unë dhe Albini jemi të lidhur me një organizatë si ‘Syri i Popullit’. Presidenti ka thënë që të zgjerohet akuza kundër meje dhe Albinit. Ata kanë zgjedhur që përmes drejtësisë ta godasin kundërshtarin politik. Ne besojmë që këtu ka prokuror të guximshëm por që nuk vijnë në shprehje”, tha Konjufca.