Kurti: Duhet rikthimi i Vetëvendosjes në qeveri!

28

Ish-kryeministri Albin Kurti sot ka prezantuar “Qeverisjen Alternative” të Vetëvendosjes që do ta ekzekutojë sapo të vjen sërish në postin që pati.

Ai po thotë se vetëm me këtë mënyrë qeverisjeje do të mund të aplikohen shumë ndryshime që janë më së të nevojshme në këtë kohë pas pasojave që ka lënë pandemia, njofton Klan Kosova.

Për më tepër, Kurti thotë se është pikërisht kjo alternativë e tij që i heq nga pushteti politikanët mujsharrë dhe të korruptuar.

“I ftojmë ekspertët dhe profesionistët tonë të ndershëm dhe punëtorë nga Kosova dhe mërgata që të na bashkohen në qeverisjen alternative në këtë ndërmarrje më të rëndësishme patriotike dhe profesionale të kohës sonë për rikthimin e qeverisë së mirë në mënyrë që kurrë mos të na kthehen mujsharët dhe të korruptuarit. Qeverisja alternative ndodhet në kontrast me keqqeverisjen 20 vjeçare dhe me qeverinë e keqe aktuale. Ajo i referohet katër muajve të pranverës të 2020-ës dhe synon rikthimin sa më të shpejtë”.

Kurti tha se Qeverisja Alternative ka pesë shtylla: Ekonomia dhe Financat; 2. Drejtësia dhe Siguria; 3. Shëndetësia, Mirëqenia Sociale dhe Sport; 4. Arsimi, Kultura dhe Rinia; dhe, 5. Politika e jashtme, Integrimi Evropian dhe Mërgata.

“Shteti duhet të jetë i përgatitur që t’iu ofrojë punëtorëve ripunësim dhe ritrajnim për veprimtaritë e reja që do të hapen. Duhen programe shtetërore për avancim dhe trajnim profesional, mënyra e funksionimit të shumë bizneseve ka filluar që të ndryshojë në shumë vende në botë edhe për këtë shteti ynë duhet të jetë gati për ndryshimet që mund të ndodhin, përfshirë punën në distancë. Kriza ka thelluar dallimet mes të pasurve dhe të varfërve, grave dhe burrave”.

Comments are closed.