Kurthet e një harbuti

43

Emin AZEMI

Branko Manoilovski kishte dy rrugë në përballjen me Vasko Eftovin, ose ta injoronte fare, me mos shkuarje në debat, ose të shfaqej me përgjigje më dinamike, më përmbajtësore dhe, mbi të gjitha, më argumentuese. Nuk u kuptua gjithë ajo mirësjellje e Brankos me një sharlatan që gabimisht i ka vjedhë veglat e gazetarisë dhe pa fije turpi bën “obduksione” mbi fatet e njerëzve. A kishte nevojë plaku i Kiçinicës të tregohej aq skandinav edhe pas akuzave se ai gjoja në këmbim të parave e paska ndërruar identitetin dhe joshjet e ndryshme e paskan bërë atë shqiptar. Ai përballë kishte një idiot që kot hiqet si gazetar, sepse gazetarinë e përdor vetëm sa për t’i bërë punët llugë, kurse të ftuarit, për gjoja debat, i shënjestron si cak goditjesh e komprometimesh.
Janë të njohur tipat si ky Eftovi, madje ai tani mundohet të tregohet një nxënës i dobët i pararendësve të tij në disa media të Beogradit, të cilët nën gunën e gazetarit fshihnin hanxharët e udbashëve, sepse vetëm në atë mënyrë mund t’iu afroheshin njerëzve dhe të maskuar me identitete të rrejshme, në fakt, kryenin punët e pista të shefave të tyre nëpër shërbimet sekrete.
Edhe ky hamami i Shkupit, që as vet s’e din çfarë mahlukati është, u mundua ta ç’orientojë gjatë debatit Manoilovskin, duke e detyruar të shkretin të thotë disa herë “da, potplno ste vo pravo”(!), por pa përgjigje të shumta në provokimet që kërkonin më shumë shpjegime e më pak buzëqeshje.

Historia e dhimbshme e asimilimeve kombëtare e fetare të shqiptarëve, nuk kishte mundësi të përbirohej në një grykë aq të ngushtë kohe sa ishte krejt hapësira programore e debatit, ku më tepër u fol për teknikalitetet e një identiteti, se sa për çështje kruciale, për të cilat, u pa se Brankoja nuk ishte i gjithaq i përgatitur. Pas një mori deklarimesh publike për shqiptarësinë e tij, Brankoja nuk e kishte për detyrë ta ridëshmonte të njëjtën para një harbuti plangprishur. Ai duhej të fliste për një realitet të dhimbshëm edentitar, i cili ishte deformuar e keqtrajtuar në periudha të ndryshme kohore dhe asnjëherë në të kaluarën,komuniteti ortodoks shqiptar, pas Josif Bagerit, nuk e pati një zë artikulues që do të shprehte kapacitet përfaqësuese të tij. Mirë u bë që tash së fundi,u paraqitën zëra të tillë (duhej patjetër ta përmendte rastin e Mateja Matevskit) dhe mirë u bë që këta zëra patën edhe mbështetje politike, por ortodoksia shqiptare në Maqedoni meriton një trajtim më serioz, madje edhe nga përfaqësuesit e saj nëpër studio televizive.
Falsifikuesit sllavë të historisë së shqiptarëve kanë treguar zell të pakursyer për t’i paraqitur të gjithë shqiptarët e Maqedonisë si myslimanë, argument ky, që sipas tyre e redukton edhe kohëzgjatjen e autoktonisë shqiptare në këto troje. Nëse shqiptarët e këtushëm janë vetëm myslimanë, atëherë ky argument, sipas tyre, është shumë i kollajshëm për të dëshmuar se gjoja ata (shqiptarët) kanë ardhur këtu bashkë me religjionin e tyre – mysliman, menjëherë pas invadimit Otoman në Ballkan. Po del se, çdo ushtar osmanli nën sqetull paska sjellë me vete nga 2-3 shqiptarë dhe i kanë hedhur si farat e hithit nëpër shkurret e malet e këtushme. Prandaj, autoktonia shqiptare në Maqedoni, gabimisht dhe djallëzisht është trajtuar nga studiuesit sllavë, si dhe nga qendrat politike në Moskë, Beograd e Shkup vetëm si segment nacional i shqiptarëve myslimanë, pa dhënë asnjëherë sqarime se çka ndodhi me vazhdimësinë territoriale e etnike të ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni.
S’do mend se edhe Vasko Eftov pretendon idiotçe se të jesh shqiptar në Maqedoni, duhesh patjetër të jesh mysliman dhe sipas tij, ortodoksia është e rezervuar vetëm për sllavët dhe fqinjët e tyre grekë, bullgarë, rumunë etj.
Nëse ortodoksia shqiptare, si grafikon i mohuar deri më tani, nxjerr nga skema e vjetër një komunitet të tërë, atëherë sponsorët e Eftovit nuk e kanë hallin te Brankoja i Rekës së Epërme, por te lumenjtë e dikurshëm të fryrjeve false demografike, të cilat nesër mund të shndërrohen në përroska.

Comments are closed.