Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 qershor – Shqipëria renditet e para në rajon lidhur me kursimet dhe nivelin e lartë të depozitave që i ruajnë në banka. Sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të depozitave në banka prej bile 70 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon, shkruan gazeta KOHA. Pas Shqipërisë, renditet Bullgaria, me depozita sa 68 për qind e PBB-së, Kroacia me 64 për qind dhe Mali i Zi me 60 për qind. Nga shtetet e tjera, kursimet e popullsisë në banka në Maqedoni janë sa 52 për qind PBB-së apo afër 4 miliardë euro, që është e përafërt me nivelin e kursimeve të Sllovenisë, me 53 për qind të PBB-së.
GREKËT MË KURSIMTARË
Nivelet më të ulëta të kursimeve, si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i ka Serbia me 42, Bosnje dhe Hercegovina me 50 për qind, ndërsa e fundit renditet Kosova me 32 për qind të PBB-së. Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore, është rreth 43 për qind e PBB-së, ndërsa Evropa në zhvillim e ka mesataren prej 41 për qind. Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80 për qind (Italia e ka 77 për qind. Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93 për qind e depozitave në raport me PBB-në.
Vlerësohet se numri i lartë i mbi një milionë mërgimtarë në shtetet e jashtme nga Shqipëria, prurjet e larta të remitancave të tyre, por dhe të ardhurat nga ekonomia informale dhe ajo e zezë janë disa nga faktorët që shpjegojnë nivelin e lartë të depozitave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, depozitat totale në sistem ishin rreth 1 trilion lekë, apo rreth 7.5 miliardë euro. Edhe në Maqedoni në vitet e fundit rritet totali i të hollave që kursehen në banka nga ana e qytetarëve. Bile, për rritjen e kursimeve në banka në Maqedoni, flet edhe fakti se depozitat për një vit janë rritur për 6.3 miliardë denarë ose në raport me 31 dhjetorin e vitit 2015 janë rritur për afër 103 milionë euro, duke arritur afër 228 miliardë denarë në fund të 2016-ës. Ekonomistët thonë se në kursimin kombëtar, krahas kursimit të qytetarëve, merr pjesë edhe suficiti shtetëror, investimet e huaja dhe remitancat e mërgimtarëve që paraqesin pjesën më të madhe të kursimit privat. Vlerësohet se qytetarët e shteteve të rajonit si investim kryesor e shikojnë kursimin, për dallim prej shteteve të tjera perëndimore, ku praktikohet që të hollat të investohen në investim konkret, ndërsa në rajon dhe te ne akoma ekziston mosbesim dhe pasiguri lidhur me investimet e mundshme. Edhe pse fitimet nga kursimet në banka në shtetet fqinje, por edhe në vend shënojnë ulje në vitet e fundit, megjithatë qytetarët të prirë nga siguria dhe besimi tek institucionet vendore financiare, nuk kanë të ndalur të vazhdojnë të ruajnë të hollat e tyre në banka. Ekonomistët thonë se qytetarët e rajonit i ruajnë të holla jo për të realizuar fitim, por para së gjithash që t’i kenë të hollat në të sigurt, për ditët kur më së shumti do t’ju nevojiten. Vlerësohet se kursimi rritet përkundër zvogëlimit të fitimit në emër të kamatave dhe krizës ekonomike si rrjedhojë edhe e transferimit të të hollave të qytetarëve nga jastëku në kasafortat e bankave. Ky veprim i qytetarëve vjen nga frika e vjedhjes së të hollave si dhe rritjes së besimit në sektorin bankar të Maqedonisë, që sjell fitime më të ulëta, por më të sigurta në raport me ndonjë investim potencial. Gjithashtu në favor të rritjes së kursimeve është edhe masa qeveritare që qytetarët e Maqedonisë të mos paguajnë tatim në kamatat e depozitave deri në anëtarësimin e vendit në BE. Gjithashtu ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime që është diskutabile sa mund të sjellin fitim dhe sa kanë ardhmëri, qytetarët obligohen t’i kursejnë mjetet e tyre financiare në banka, madje me interes tejet të ulët. Në ndërkohë, KOHA raporton se analizat tregojnë se edhe tregjet e pazhvilluara financiare siç janë bursat e dobëta për tregti apo investimet në fondet private pensionale diktojnë që në ditët e sotme më shumë se 90 për qind e aseteve apo burimeve të sistemit financiar në vendet e Ballkanit të ndodhen në duart e bankave. Ndërkaq, aktivitetet e tjera financiare, si sigurimi e fondet pensionale vazhdojnë të mbeten në nivel të ulët.
PRIVATIZIMI I BANKAVE
Nga ana tjetër, edhe privatizimi i bankave në Ballkan, nga ana e investitorëve të huaj që kanë blerë 75-90 për qind të sektorit bankar ka ndikuar në uljen në minimum apo edhe zero të rrezikut të ruajtjes së të hollave në banka. Prania e bankave të huaja në rajon së bashku me masat shtrënguese dhe mbikëqyrjen e rreptë të bankave popullore në rajon, është tregues i qartë për punën e sigurt dhe transparente për ekonomitë vendore , por edhe për qytetarët në përgjithësi të bankave . Bile bankat e huaja, të cilat me vete sjellin edhe risi të rëndësishme të njohurive teknike dhe financiare, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për forcimin e sektorit bankar të vendeve të Ballkanit. Gjithashtu në 10-15 vitet e fundit është rikthyer edhe besimi ndaj bankave në rajonin e Ballkanit pas zhvillimeve të ndryshme që tronditën sektorin bankar. Për shembull, në disa vende të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve të 90-ta shteti bllokoi kursimet e qytetarëve në deviza. Për këtë arsye qytetarët në vend të transferit të kursimeve të tyre në deviza në sistemin e bankave kombëtare, ata preferuan që devizat t’i mbajnë pranë tyre për një kohë të gjatë. Ndërsa, një faktor tjetër që pengoi zhvillimin e sektorit bankar ishte dalja në skenë e disa skemave piramidale që mashtruan popullin me fitime të rrejshme. Shembuj të tillë në Maqedoni ishte rasti “Tat” nga Manastiri, “Vefa” apo “Gjallica”, në Shqipëri, apo bankat Jugoskandik dhe Dafiment në Serbi, të cilët ofronin interesa më të larta se bankat për kursimet në deviza. Falimentimi i disa prej kompanive piramidale në Shqipëri, të cilat përshkruhen si burim i pasurimit të shpejtë, në janar të vitit 1997 u bënë shkak i revoltës në mbarë Shqipërinë, të cilat dolën jashtë kontrollit të policisë dhe ushtrisë brenda një kohe shumë të shkurtë.
Andaj, vendeve të Ballkanit ju nevojitej ndërmarrja e reformave radikale në lidhje me sektorin financiar. Ndryshimet thelbësore, të cilat ndikuan në funksionimin dhe strukturën e sektorit në fjalë, kanë filluar të zbatohen nga fundi i viteve të 90-ta. Në këtë kuadër u zhvillua korniza ligjore për rregullimin e sektorit bankar. Gjithashtu u forcuan edhe kontrollet financiare. Me heqjen e kufizimeve ndaj sektorit bankar, lirimin e hyrjeve në sektor dhe me privatizimin e bankave shtetërore, sektori bankar i vendeve të Ballkanit filloi të tërheq edhe investime të huaja. Sot në rajon punojnë një pjesë e madhe e brendeve të njohura botërore në sektorin bankar, siç janë brendet botërore të bankës franceze Sosiete Zheneral, Rajfajsen bank, Prokredit Banka, San Paolo Intesa e kështu me radhë.
FRIKA NGA EUROT NË SHQIPËRI
Banka Qendrore në Shqipëri dëshiron të frenojë përdorimin e euros, në mënyrë që politika e saj monetare të funksionojë më mirë dhe të mbrojë sistemin e saj bankar nga goditjet e kursit të këmbimit, tha guvernatori i saj për “Reuters”, shkruan “Daily Mail”. Monedha Kombëtare është leku, por remitancat nga emigrantët, së bashku me lidhjet tregtare dhe bankare me vendet e eurozonës, Italia dhe Greqia, dhe fqinjët, Kosova e Mali e Zi, që përdorin euro, do të thotë se shqiptarët përdorin gjerësisht euro, përcjell albinfo.ch. Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko është shprehur se nuk ka dyshime për heqjen e euros nga ekonomia shqiptare, një kandidat për Bashkimin Evropian. Ai shtoi se banka donte të ruante stabilitetin financiar, pasi një sasi e lartë e huadhënies në euro do të ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit. Një dekadë më parë, 80 % e huadhënies ishte kryesisht në euro, kurse pjesa tjetër në lekë, por raporti ka ndryshuar ku 55 % është euro dhe 45 % lekë. Depozitat në euro përbënin 60 % të kursimeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara