Ekonomistët thonë se niveli i kursimeve në vend akoma është i ulët në raport me shtetet e zhvilluara, mirëpo inkurajon rritja e depozitave kohë të problemeve të ndryshme ekonomike në Evropë dhe botë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 tetor – Përkundër kamatave të ulëta në kursime, megjithatë në vitet e fundit po rriten depozitat e bizneseve dhe qytetarëve. Statistika e Bankës Popullore tregon se në tre vitet e fundit apo nga shtatori i vitit 2016 në muajin shtator të këtij viti, shënohet rritje e kursimeve nga 304.552 milionë denarë në 394.472 milionë denarë. Prej këtyre mjeteve, 262.458 milion denarë kursehen nga ana e personave fizik apo qytetarëve, nga ana e kompanive private kursehen 104.178 milionë denarë. Thënë ndryshe, në tre vitet e kaluara po rriten depozitat nga 5.2 miliardë euro në mbi 6 miliardë euro. “Depozitat e popullatës në shtator kanë arritur vlerën prej afër 4.5 miliardë euro dhe shënojnë rritje prej 8.8 për qind në raport me muajin shtator të vitit të kaluar. Kjo tregon se qytetarët kanë besim në bankat vendore duke ruajtur të hollat përkundër uljes së shkallëve të kamatës”, thonë nga Fondi për Sigurimin e Depozitave me rastin e Ditës Botërore të Kursimit.
Ekonomistët thonë se niveli i kursimeve në vend akoma është i ulët në raport me shtetet e zhvilluara, mirëpo shtojnë se inkurajon rritja e depozitave kohë të problemeve të ndryshme ekonomike në Evropë dhe botë. Për nivelin e ulët të kursimeve dhe fuqinë e dobët financiare të qytetarëve në vend në raport me shtetet e zhvilluara perëndimore, flasin edhe të dhënat se kursimi i qytetarëve në Belgjikë është 67 mijë euro me një pagë mesatare prej 4200 euro. Nga ana tjetër, qytetarët në Maqedoni me paga mesatare prej 400 euro kanë kursime prej afër 2200 euro për kokë banori.
Vlerësohet se rritja e pagesave që nuk përdorin para të gatshme në dorë, besimi në valutën vendore të denarit, inflacioni i ulët, ndryshimi i sistemit të pagesës së pagave përmes llogarive të transaksionit, ndër të tjerash po nxisin rritjen e kursimeve të qytetarëve në shtet. Gjithashtu, ekspertë për çështje financiare vlerësojnë se në mungesë të një ambienti të sigurt për investime që është diskutabile sa mund të sjellin fitim dhe sa kanë ardhmëri , qytetarët orientohen t’i kursejnë mjetet e tyre financiare në banka, madje me interes tejet të ulët. Autoritetet financiare në vend vlerësojnë se depozitat apo kursimet kanë ndikim të madh në lëvizjen e ekonomisë për shkak se likuiditeti i madh i bankave apo disponimi me para ndikon edhe në rritjen e kreditimit, që më tej rrit edhe konsumin privat dhe investimet e bizneseve që në fund ndikon edhe në rritjen ekonomike.
Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë rritje në nivel vjetor prej 10 për qind të totalit të depozitave që dominohen nga qytetarët në raport me bizneset që udhëzon se amvisëritë nuk i ruajnë të hollat nën “jastëk”, por në librezën e kursimit. Në ndërkohë të dhëna tregojnë se 51.8 për qind apo gjysma e kursimeve janë në denarë, ndërsa gjysma tjetër apo 48.2 për qind e kursimeve janë në deviza. Në mesatare për kursimet në denarë fitohen prej 1.9 deri 2 deri për qind normë e interesit apo kamatë
Ndryshe, vlerësohet se niveli i kursimeve në një ekonomi është i kushtëzuar prej më shumë faktorë siç janë shkalla e të ardhurave, numri i madh i mërgimtarëve në shtetet e huaja, faktorët demografik, niveli i konsumit , vendosja e sistemit tatimor, shëndetësor dhe pensional, e kështu me radhë.
TOTALI I KURSIMEVE NË BANKA NGA BIZNESI DHE QYTETARËT
2014: 4.6 miliardë euro
2015: 4.9 miliardë euro
2016: 5.2 miliardë euro
2017: 5.5 miliardë euro
2018: 5.8 miliardë euro
2019: mbi 6 miliardë euro